Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, sot mbushen 116 vite që nga unifikimi në Kongresin e Manastirit
Sot është dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vite më parë në Kongresin e Manastirit, që u zhvillua nga 14 nëntori deri më 22 të vitit 1908. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete shqiptare, ku u ra dakord që gjuha shqipe do të bazohej në alfabetin latin me disa ndryshime të shkronjave, duke i adaptuar ato në gjuhën shqiptare.
Në Manastir asokohe ishin të pranishëm intelektualë nga të gjitha trojet, pasi qyteti njihej si “vendi i konsujve”. Kryetar i Kongresit ishte Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.Kongresi i Manastirit cilësohet si ngjarja më e rëndësishme për kombin shqiptar në fillimin e shekullit të XX-të, pa u shpallur ende pavarësia. Në Maqedoninë e Veriut, për shqiptarët kjo është ditë feste, ndërsa në Manastir gjendet Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që përmban 36 gërma.
22 nëntori festë zyrtare
Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.
Comments
Post a Comment