Nga Klajd Kapinova/ Çmenduria e radhës së Rama-zanit dhe Shteti Islamik Otoman Bektashi brenda shtetit Laik të Shqipërisë
“Personalisht besoj, se rritja e një shkalle të lartë e komunitetit bektashian, është padyshim një vlerësim i punës shumë shekullore, që ky komunitet dhe të gjithë antarët e tij kanë bërë për ndërtimin e Shqipërisë, por do te thoja, se ngritja në një shkallë më të lartë nuk nënkupton krijimin e një shteti brenda shtetit. Nuk e di se sa të informuar janë të pranishmit, por në asnjë traditat shekullore bektashiane, nuk ka patur qëllim që bektashijtë të krijojnë një shtet të tyre të pavarur. Kjo bie ndesh me bektashizmin vetë dhe filozofinë e saj, që do të thotë, se bektashizmi nuk është një islam politik, që të kemi si synim të krijojmë një shtet, të pushtojmë një shtet ose të marrim një shtet në kontroll. Të ndërtosh një shtet, sipas stilit të Vatikanit, do të thotë se bektashizmi nuk ka një system të ngjashëm me Vatikanin. Ai ka shumë shekuj që është ndërtuar dhe ai që vjen ose zgjidhet papë kalon në mijëra e mijëra filtra nga të gjithë beismtarët katolikë anë e kënd botës, të cilët e miratojnë papatin dhe janë pro atij, që i përfaqson në të gjithë botë. Unë flas në emër të qindra dhe mijëra bashkëatdhetarëve, që janë në SHBA, Kanada dhe Australi. Nga telefonatat dhe ankesat që ato kanë bërë këto ditë, ato më kanë pyetur a do të quhemi ne shqiptarë apo do të quhemi vetëm bektashi, sepse deri dje ne kemi patur krenari të quheshim bektashi shqiptarë. Qeveria shqiptare dhe Kryegjyshata Botërore e Bektashive me qendër në Tiranë, kanë bërë një Marrëveshje shumë vite më parë dhe kanë krijuar Statusin e Komunitetit Bekshashian (botuar në gjuhën shqipe dhe anglisht), i cili tregon, se si organizohet ky komunitet, cilat janë detyrat e një babai, një dervishi dhe të një besimtari. Në websitin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashive në Shqipëri, ato e kanë shpallur shtetin bektashi. Pra, në këtë rast, gjithcka ka ndryshuar dhe me urdhër të kujt!? Ky veprim nuk është diskutuar. A ka mbledhur Baba Mondi Kuvendin Gjyshësor, sikurse është e përcaktuar në Statusin Bektashi!? Nuk e di se Baba Mondi me ke i ka marrë këto vendime, duke ndryshuar Statusin e Komunitetit Bektashi, duke shpallur Shtetin Bektashi!?” – Baba Elidon Pashaj, është kleriku shpirtëror i Teqes Bektashiane të SHBA-së, Kanadasë dhe Australisë.“Unë mendoj, se ne shqiptarët nuk e kemi përfunduar formimin mendor, shpirtëror dhe madje edhe politik si komb i pjekur përfundimisht. Pavarësisht traditave tona gjigande, në kulturë dhe qytetërim. Pavarësisht, se sikurse unë mendoj, shteti i parë shqiptar është në shekullin e 15 me Gjergj Kastriotin, themeluar në Lezhë, dhe jo në shekullin e 20-të. Por, lidhja jonë shpirtërore si një komb i pjekur, nuk e mbaroi dot procesin e pjekurisë së vet. Mbetëm në gjysmë të rrugës, fatkeqësisht. Nga kjo vuajmë sot jashtëzakonisht shumë. Shumë ngjarje dhe proceseve, që prekin sipërfaqshëm politikanë që hiqen si ideologë, ideologë gjysmakë që hiqen si opinionistë, opinionistë që në fakt janë propagandistë, etj., nuk shpjegohen në mënyrë fluturake. Fakti, që procesi i pjekurisë së lidhjes sonë shpirtërore kombëtare nuk ka përfunduar, u la në mes, është thelbi i të gjitha tragjedive tona të reja, i rreziqeve që na përballin edhe me shbërjen e mundshme, nëse nuk arrijmë t’i thërrasim mendjes! Ku po shkon o shqiptar? Kjo ndërprerje e formimit tonë shpirtëror dhe politik kombëtar, ka ardhur nga shumë rrethana, që kanë nevojë të studiohen thellë jo të kemi përgjigje me klithma e të bërtitura si prej ushtarakësh në rezervë! Gjergj Kastriotit iu ndërpre projekti i tij i formimit kombëtar, që ai e pati në mendje sepse në shpatë nuk mund ta kishte, meqë shpata osmane ishte sigurisht më e fortë. Projekti i tij erdhi shpejt, si mimoza në dimër, prandaj rreshjet e shiut dhe dëborës anadolliane e thanë. Kombet e tjera evropiane, në atë kohë ishin ende në gjumë. Pesëqind vjet, mimoza sikurse do ta thoshte Sami Frashëri, ndejti e fshehur në dëborë. Rilindasit, menduan bukur mirë t’a zgjonin, sidomos kur panë se Stambolli po na merrte me vete. Por, edhe ata ishin shumë të ndikuar me Stambollin. Nuk kishin ç’bënin tjetër, veçse na thanë se jemi një, sepse flasim një gjuhë. Na mblodhën rreth një gjëje materiale, por jo shpirtrore. Ata e krijuan kombin në letërsinë dhe ideologjinë e tyre, por mbeti një komb virtual, intelektual, në libra, sepse ideja nuk mund të rrëmbejë dhe të rrënjoset në mendjet e njerëzve, (sidomos dikur analfabetë) kaq shpejt. Kombeve të tjerë u janë dashur disa shekujt në liri që ta bëjnë. Ne nuk na e dha historia shansin. Pas luftrave të shekullit të 20, erdhi lufta e klasave, që si mekanizëm është që ta përçajë kombin jo ta formojë. Autoritarizmi i Enverit, krijoi idenë sa me propagandë aq dhe me politikë, që ne ishim formuar si komb çeliku. Por, unitetin iluzior na e krijonte mbyllja me tela me gjemba e kufirit, jo lidhja jonë e përbashkët shpirtore si komb. Teli me gjemba, krijoi frymëzimin, që sapo të binte, shqiptari të ikte nga foleja – komb, që i ishte bërë burg. Procesi kishte mbetur përgjysëm kur u hap çdo gjë, kufij, mendja, erëra ideologjike globaliste dhe ne na ka marrë era. Na shpërndau era globale cep më cep, sepse nuk ishim ngjizur ende me njeri tjetrin shpirtërisht, për të qenë një komb, që nuk e lë individin t’i largohet forcës cenntripetë. Ne jemi centrifugë dhe jo centripete! Zamku i hedhur për të na bashkuar, ngjitur, me njeri tjetrin, nuk ishte tharë mirë dhe lidhja u shqit. Grindemi me nënë e me babë me njeri tjetrin, mbyllemi në regjionalizma krahinore, sikurse Noli na e vinte në dukje aq me cinizëm, por realisht. Me shqiptarët kosovarë një mërzi dhe mëri, që veç dreqi e kupton se kush e fut në lojë. Hallet na bëjnë si zogjtë e kombit? Jo! Halle ka pasur boshnjaku,serbi, kroati, gjermani, francezi, italiani, greku, por nuk është gjymtuar kështu, ka qëndruar, edhe kur ka ikur ka riardhur në mjaft raste. Dalin nxënësit nga shkollimi dhe i pyet: Mor po kush ishte Petro Nini Luarasi? Të sheh me sy të habitur. Kush është Gjergj Fishta? Kujton se po i flet për ndonjë aktor filmash në Hollywood me origjinë shqiptare… Duhet ta kuptojmë këtë, se përndryshe këngët me theks kombëtar do t’i dëgjojmë vetëm në stadiume, si këngë tifozësh të ndërkryer, atje ku nuk duhet, ndërkohë që në fushë luajnë lojtarët, çunat tanë, por që nuk dihet se sa pasaporta kanë!”
Comments
Post a Comment