Ibrahim Tukiçi, talenti që i dha shpirt muzikës shqiptare
Ibrahim Tukiçi, talenti i muzikës, zëri i të cilit thuhej se dilte nga shpirti dhe mendja.
Simboli Tukiçi lindi në Shkodër me 5 prill 1926, aty ku edhe u shkollua deri në arsimin e mesëm.
Studimet e larta i kreu në Konservatorin Çajkovski të Moskës në Rusi. Pas mbarimit të studimeve në vitin 1957 u emërua në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku interpretoi në shumë pjesë klasike, si ‘Kavaleria Rustikana’, ‘Nusja e shitur’, ‘Mrika’, ‘Pranvera’, ‘Madam Batërflaj’, ‘Lulja e Kujtimit’, operën ‘Zgjimi’, ‘Rigoleto’ etj.
Fillimet e tij u shtruan në këngën popullore, në muzikën që aq shumë e deshti dhe e interpretoi me po të njëjtën forcë pasioni duke krijuar kështu portretin e tij simpatik.
Me mjaft profesionalizëm ai përçoi dhe notat e klasikes duke u bërë njësh me rolet e veprave të ndryshme operistike.
Edhe në vitet e fundit të karrierës së tij ka kënduar në operat shqiptare, ‘Goca e Kaçanikut’, Borana’, etj. Tukiçi njihet dhe për interpretimin e këngës popullore midis të cilave ‘Kenke nuri i bukurisë’, ‘Bishtalecat palë-palë’, ‘Hajde gjyle’, ‘Mic Sokoli’, etj.
Një artist si të tjerët? Jo!
Performanca e tij artistike dhe aftësitë komunikative, bënin ndryshimin me figurat e tjera.
Muzika për të ishte jo vetëm përçim i fjalëve përmes tingujve, notave, por më shumë edhe interpretim i historisë në brendi, aktrim. Dhe kështu bënte. Tukiçi i pikturonte tematikat, personazhet e tij. Mund të themi se dashurohej pas tyre. Vetëm kur ndodh kjo e fundit përçoht në atë lloj mënyre.
Në rrugën e tij të gjatë artistike, Tukiqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm si Cmimin e dytë në Festivalin e Rinisë në Bukuresht të Rumanisë, në vitin 1953, Diplomën në Festivalin e Vjenës në Austri në vitin 1958.
Ibrahim Tukiçi është nderuar me titujt Artist i Merituar në 1951 dhe Artisti i Popullit, në vitin 1985. Me karrierën e tij ai u bë një nga këngëtarët më të njohur të muzikës sonë operistike, por edhe asaj popullore.
Mik i të gjithëve.., Avni Mula në ditarin e tij shkruan për Ibrahim Tukiçin:
“Shoku i fëmijërisë i rinisë dhe i pleqërisë. U njoha në moshën shtatëvjeçare në Shkodër në klasën e parë. Ai nga lagjia Rus, unë nga lagjia Parruce. Na bashkoi edhe festa e Mevludit me xhaminë e bukur. Fusha e Qeles ku këndonim rituale fetare. Kështu për çudi për afro 70 vjet nuk u ndamë asnjëherë. Fëmijërinë dhe rininë bashkë.
Paradite në shkollë, pasdite unë furxhi e ai kovaç. Pas çlirimit unë mesues, ai mekanik. Për gjashtë vjet na bashkoi Ansambli Artistik i Ushtrisë. Në studimet e larta nga viti 1952 në të njëjtin konservator në Moskë, me të njëjtin profesor, unë bariton, ai tenor. Të dy profesionistë solist lirik në TOB më 1957. Me dhjetëra e qindra koncerte dhe role të përbashkëta brenda e jashtë shtetit. Të dy ‘Artistë të Merituar’, ‘Artistë të Popullit’. Unë kompozitor ai edhe solist me Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Por, papritmas më iku shoku, miku vëllai. Ai është legjenda e këngës popullore qytetare e këngës shkodrane e mbarë kombëtare. Zë timbrik i fuqishëm dramatik e lirik në interpretim, i thjeshtë, i dashur, besnik, kavalier e patriot. Këngëtar si Ibrahimi një herë lindin.”
Dy djemtë e tij janë muzikantët e njohur Davidx dhe Genc Tukiçi.
Ibrahim Tukiçi ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, në Tiranë më 24 maj 2004.
Për nder të tij edhe një rrugë në Tiranë mban emrin Ibrahim Tukiçi.
Konica
Comments
Post a Comment