Xhaçka: S’ka vullnet politik që e nxjerr Belerin nga burgu, betimi i tij është çështje e drejtësisë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, i është përgjigjur homologut të saj grek, Giorgos Gerapetritis, i cili është shprehur se mbajtja e Fredi Belerit në burg nuk është çështje e gjykatës, por e politikës. Në kundërpërgjigje, Olta Xhaçka thotë se organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre, ku betimi i kryebashkiakut Beleri është një çështje e drejtësisë dhe jo e qeverisë shqiptare apo qeverisë greke.
"Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë, kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare!
Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu: Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke.
Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar.
Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak.
Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu".
Comments
Post a Comment