Çfarë ishte EncroChat i përdorur nga bota e krimit në Evropë, arrestimet e bujshme nga SPAK, mashtrimi me sigurinë
Vrasja e Gjin Boriçit në gusht të vitit 2020 në Shkodër, si dhe 5 tentativa për vrasje, janë planifikuar, sipas SPAK, në komunikimet në rrjetin “EncroChat”. Zbërthimi i kodeve të këtij rrjeti nga policia franceze dhe ajo holandeze, nxorri në pah komunikimet e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë të përbërë nga vrasës me pagesë, biznesmenë dhe përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore.
Fija që i lidh të gjithë këta personazhe të botës së krimit, ishin komunikimet në telefon nëpërmjet rrjetit “ENCroChat’.
Por çfarë është EncroChat-i?
Agjencia evropiane e policisë Europol deklaroi pak ditë më pare se rrëzimi i Encrochat, një kompani e fshehtë që u ofronte kriminelëve komunikime të gjoja të sigurta të koduara, çoi në më shumë se 6,500 arrestime dhe 900 milionë euro asete të sekuestruara.
Pjesë e këtyre arrestimeve në Shqipëri ishin edhe Pëllumb Gjoka; Edmond Preka; Astmer Bilali; Ardit Hasanbenga; Oltion Bistri; Xhevahir Lita.
Sipas Reuters, sistemi Encrochat kishte rreth 60,000 përdorues, por ai u mbyll papritur në qershor të vitit 2020. Gjithësesi, Europol zbuloi se zyrtarët e zbatimit të ligjit kishin përgjuar komunikimet e përdoruesve edhe gjatë muajve në vazhdim.
Nëpërmjet një deklarate, Europol ofroi përmbledhjen e tij të parë të rezultateve të rrëzimit të Encrochat, të cilat tha se kishin "shkaktuar valë tronditëse në grupet e krimit të organizuar në Evropë dhe më gjerë".
"Policia ka analizuar më shumë se 115 milionë "biseda kriminale",- tha Europol, duke ndihmuar në parandalimin e "sulmeve të dhunshme, tentativave për vrasje, korrupsionit dhe transportit të drogës në shkallë të gjerë".
Agjencia tha se hetimet e nisura nga rrëzimi deri më tani kanë çuar në sekuestrimin e 100 tonëve kokainë, 30 milionë pilula "drogë kimike", gati të një mijë automjeteve, qindra prona, si dhe dhjetëra varka dhe avionë.
Sipas Reuters, deklarata e policisë nuk dha detaje nëse vetë pronarët e Encrochat ishin arrestuar. Rezultatet e pjesshme të hetimeve të lidhura me Encrochat janë shpallur më parë nga policia franceze, holandeze dhe britanike, në vitin 2020, si dhe nga policia gjermane në 2021.
Mashtrimi i Encrochat për rrjet të sigurtë
Encrochat shiti pajisje celulare të modifikuara Android për rreth 1000 euro, dhe u ngarkoi përdoruesve të tyre tarifa shumë të majme abonimi me premtimin se komunikimi i tyre do të mbetej i koduar dhe sekret.
Ajo u mbyll papritur në qershor 2020 pasi operatorë të paidentifikuar me sa duket e kuptuan se ishin mashtruar dhe kishin rënë në sy të policisë. Europol tha se kompania i kishte drejtuar komunikimet e koduara përmes serverave në Francë.
Comments
Post a Comment