Zjarri i frikshëm në Shëngjin, Pjerin Ndreu: Histori banale ajo se ngjarja lidhet me ndërtimet
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka folur lidhur me zjarret e rëna përgjatë ditëve të fundit në zonën e Shëngjinit. Në një prononcim të shkurtër për “Ora News”, Ndreu u shpreh se ndezja e pishave ka qenë situata më e vështirë që kaluan, duke theksuar se pas këtyre flakëve fshihet dora kriminale e dikujt. Ai vlerësoi se është një fat i madh që nuk kishte dëmtime në njerëz, teksa më tej bëri me dije se të gjithë qytetarët dhe turistët të cilët u evakuuan janë rikthyer. “Nga ora 2 e natës deri në 4 të mëngjesit janë shuar katër vatra zjarri në 4 fshatra të ndryshëm. Është e habitshme se si mund të shpërthejnë në 2 të natës vatra zjarri pa ndihmën e dikujt. Ndezja e pishave ka qenë situata më e vështirë që kaluam këto ditë, dhe situata mund të shkaktonte panik edhe tek vetë forcat që u angazhuan për shuarjen e këtyre zjarreve” , tha ai duke i cilësuar më tej si histori banale se zjarret kanë lidhjr me interesat e bizneseve të ndërtimit në zonë.