Turizmi në Shkodër, trend në rritje edhe këtë sezon / Bashkia: Bashkëpunimi me operatorët turistikë, çelësi i suksesit

Edhe ky sezon veror ka konfirmuar rritjen e qëndrueshme të turizmit në Bashkinë e Shkodrës.

Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me një vit më parë, këtë sezon është shënuar një rritje prej afro 20% të numrit të netëve të qëndrimit nga turistët vendas dhe të huaj.

Drejtuesit e sektorit të turizmit në Bashkinë e Shkodrës theksojnë se ndikim të rëndësishëm ka patur bashkëpunimin i forcuar me operatorët turistikë, funksionimi sa më efikas i të cilëve vlerësohet si një element thelbësor për një sezon të suksesshëm.

Një rol të veçantë kanë pasur edhe zyrat e informacionit turistik të Bashkisë Shkodër, të cilat janë shndërruar në një hallkë lidhëse të rëndësishme mes operatorëve turistikë dhe vizitorëve.

 Këtë vit është vënë re një interes më i madh nga operatorët për të prezantuar ofertat e tyre përmes këtyre zyrave.

Bashkia Shkodër, përveç qendrës së informacionit në qytet, ka në funksion edhe dy zyra të tjera turistike në Velipojë dhe Theth.

Këto pika shërbimi orientojnë çdo ditë vizitorët, duke u ofruar detaje mbi aktivitetet, guidat dhe atraksionet që ofron rajoni.

Comments