Nga Prel MILANI :
DODE KAÇAJ – ZËRI QË NUK U SHUA
Në historinë e Malsisë së Madhe, ka njerëz që nuk maten vetëm me vitet që jetuan, por me gjurmët që lanë. Ndër ta, Dode Kaçaj qëndron si një nga figurat më të shquara e më të dashura – poet i frymëzuar, mësues shembullor, intelektual i formuar dhe njeri i pastër si uji i krojeve të bjeshkës.
Shtatlartë, dymetrosh si lisat e maleve ku lindi e u rrit, ai mbartte forcën e natyrës dhe butësinë e një zemre të madhe. Balli i gjerë, shikimi i kthjellët dhe buzëqeshja e tij e matur e bënin të dukej njëkohësisht burrë autoriteti dhe mik i afërt. Në çdo shoqëri sillte urtësi, kulturë dhe ngrohtësi njerëzore.
Dode Kaçaj ishte jashtëzakonisht popullor. Shkeli pothuaj çdo vatër të Shoshit e të Malësisë, duke biseduar e intervistuar burra, gra, pleq, plaka dhe të rinj. Fliste lirshëm me të gjithë, sikur të ishte moshatar me plis-bardhët e odave të vjetra. Në këto takime, binomi historik Gjon Marashi – Balë Mark Milani ishte një nga thesaret më të çmuara që e frymëzoi. Nga bisedat e tyre lindën disa nga perlat epike të tij, kushtuar Luftës kundër Turgut Pashës, betejave me Malin e Zi dhe eposit heroik të Pal Gjokës, Marash Tucit, Sokol Tonës, Zeke Jakinit e të tjerëve.
Ishte pjesë e një fisi artistësh, gjak i njëjtë me tenorin e madh Lukë Kaçaj. Por jeta nuk ia kurseu pengesat. Në rininë e hershme, u përball me padrejtësi biografike, të cilat nuk e thyen. Përkundrazi, e bënë më të qëndrueshëm, më të vendosur të mbetej vetvetja.
Si mësues, ishte shembullor. Si njeri, ishte i drejtë dhe me integritet të palëkundur. Në fillimet e demokracisë, u bë një nga opozitarët e parë të vendit, deputet i Parlamentit të parë pluralist. Ai nuk ndoqi verbërisht asnjë lider, nuk pranoi të bëhej vegël e pushtetit. Politika nuk arriti ta njolloste – mbeti i pastër, i kthjellët dhe i papërkulur.
U diplomua në Fakultetin e Letërsisë dhe u bë një nga zërat më autentikë të poezisë malësore bashkëkohore. Vargjet e tij nuk ishin të largëta e të huaja për njerëzit – ato ishin këngë të zemrës, të lindura nga dheu i Shoshit e nga fryma e maleve, të destinuara për t’u kënduar e recituar ndër mote. Ishte një nga promotorët e mëdhenj të folklorit, drejtues artistik në festivale lokale dhe në ansamble të njohura, duke u ngjitur deri në skenën e Gjirokastrës krah artistëve si Sali Manit , Mehilli Çuni, Jonuz Delaj Violeta Deda, Kole Buçi Kole Gjoni Pretash Nilaj grupit te burrave të Malësisë dhe grupit folklorik Shoshi
Jetoi në Palaj të Shoshit, mbi një dekadë, ku shkroi tekste këngësh që i dhanë zë historisë së vendlindjes dhe frymë brezave të rinj. Ishte mik i gjyshit tim, Balë Mark Milani, mik i shtëpisë sonë dhe mik i gjithë Shoshit. Malet e Shoshit e qanin si të tyren, sepse në vargjet e tij gjenin veten dhe shpirtin e tyre krenar. Cikli poetik "Kangë maja krahut" mbetet si një simfoni e malësorit – këndohet me mall e recitohet me dashuri, si një flamur poetik që nuk bie kurrë.
Dode Kaçaj nuk ishte vetëm trup i fortë dhe shtat i madh – ai ishte mendje e ndritur, shpirt i bardhë dhe zemër e gjerë. Në trup ishte si mali, në fjalë si bilbili, në shpirt si burimi i pastër që ushqen një krahinë të tërë. Edhe pse sot nuk ecën më mes nesh, fjala dhe kënga e tij vazhdojnë të frymëzojnë, duke dëshmuar se disa njerëz nuk vdesin kurrë – sepse kur zemra e tyre pushon, zëri i tyre jeton.
Comments
Post a Comment