Historia rrënqethëse e të ndjerit Sokol Veshti nga Malësia e Madhe- Si e pushkatuan pa gjyq!?

Dy krisma pistolete pas mesnate, në agimin e datës 2 tetor 1986, thyen qetësinë e natës në Vermosh. Pasi e plagosën në dorën e djathtë, xhelatët lidhën bashkë Sokol Veshtin dhe Gjelosh Gegën; ashtu të gjakosur dhe të lidhur, i çuan te posta e kufirit në Bashkim. Aty i torturuan mizorisht, u thyen kockat dhe i përçudnuan dy të rinjtë që regjimi i quante “armiq të popullit”.

Sokoli ishte nisur për t’u bashkuar me vëllain e tij Nikollën, i cili ishte arratisur në SHBA në vitin 1966. Por ëndrra e 21-vjeçarit nga Rreze-Veshti u ndërpre brutalisht. Një nga oficerët e kufirit, me sytë e skuqur nga urrejtja, nxori pistoletën dhe nga një distancë prej vetëm 1.5 metrash qëlloi dy plumba në ballin e tij, duke ia marrë jetën në çast.

Tragjedia nuk përfundoi aty… Kufitarët lidhën të gjallin me të vdekurin, e ngjitën trupin e Sokolit dhe Gjeloshit në karrocerinë e një xhipi dhe i nisën “triumfalisht” drejt Shkodrës, ndaluan nëpër fshatrat e Malësisë që banorët t’i shanin dhe t’i pështynin “armiqtë e popullit”.

Sokoli u varros fshehurazi në Kuç, pranë nënstacionit të Radio Shkodrës. Vendin e varrit ia tregoi kushëririt të tij, Gjovalin Veshtajt, ish-kufitari Nikolin Ndoci. Në vitin 1991, familja, të afërmit, miqtë dhe qindra banorë të Malësisë morën pjesë në rivarrimin e eshtrave të Sokolit, duke e nderuar si një dëshmor të lirisë.

Presidenti i kohës, Sali Berisha, e shpalli Sokol Veshtin “Martir të Demokracisë”.

Më 3 shtator 2025, Këshilli i Bashkisë Malësi e Madhe e shpalli Sokolin “Qytetar Nderi” pas vdekjes.

🙏 Qoftë i përjetshëm kujtimi i Sokol Ndue Veshtit! 🙏


Comments