Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme në liqenin e Komanit, ku dhjetëra turistë të huaj kanë mbetur të habitur teksa kanë parë një ujk duke kaluar me not shumë pranë varkës së tyre.
Turistët, që po udhëtonin drejt lumit të Shalës nën shoqërimin e udhërrëfyesit Emanuel Pjetri, kanë përjetuar nga afër këtë skenë të rrallë, pasi ujku ka kaluar mes për mes liqenit dhe në një moment është afruar ndjeshëm pranë tyre.
Pamja e ujkut në mes të ujërave të thella të Komanit është përjetuar si një moment i veçantë dhe emocionues për vizitorët, të cilët nuk e fshehën habinë dhe kureshtjen përballë këtij spektakli të natyrës.
Ky nuk është rasti i parë që turistët në Koman përballen me skena të tilla të rralla. Më herët, janë raportuar edhe raste ku dhi të egra apo kaproj kanë kaluar me not pranë anijeve dhe varkave, duke ofruar momente të vecanta për vizitorët.
Liqeni i Komanit dhe lumi i Shalës mbeten ndër destinacionet më të veçanta në Shqipëri, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për surprizat e papritura që ofron fauna e egër e zonës.
Comments
Post a Comment