Prag tragjedie në Drisht/ Fëmija 11-vjeç rrezikon të bie nga Ura e Telit

Mbrëmjen e sotme, është raportuar një ngjarje e rrezikshme në urën e telit në Drisht, ku një fëmijë 11-vjeçar, duke kaluar mbi këtë urë, ka rrezikuar të bjerë për shkak të amortizimit të plotë të saj mëson Shkodra Blog. Fatmirësisht, ngjarja nuk ka përfunduar me pasoja tragjike, por situata mbetet alarmante.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Ata i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit që të marrë masa të menjëhershme për bllokimin e urës, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.

Prej kohësh është kërkuar rikonstruksioni i kësaj ure, e cila përdoret nga fëmijët për të shkuar në shkollë dhe nga banorët e zonës për të lëvizur çdo ditë, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Më herët gjatë ditës, ShkodraBlog raportoi gjendjen e amortizuar të urës së telit në Drisht, e cila prej kohësh është kthyer në një burim rreziku për banorët e zonës. Vetëm pak orë pas publikimit, është mësuar për një ngjarje të rrezikshme: një fëmijë 11-vjeçar, teksa po kalonte urën, ka qenë pranë rënies në lumë.

Comments