Letra e At’ Pjetër Mëshkallës drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, më 5 prill 1967: “Synoni të formoni një brez pa kurajo civile, pa burrëri, oportunist, servil…”
Para dy ditësh, Viktor Martini, një shkodran i njohur dhe me banim në SHBA, më dërgoi letrën e Padër Pjetër Mëshkalla drejtuar Kryeministrit të kohës Mehmet Shehu, të cilën po e botojmë të plotë. Zoti Martini ka qenë bashkëvuajtës dhe mik i ngushte me Mëshkallën. Kam patur rastin të bisedoj disa herë me Viktorin dhe ndonjëherë çuditem edhe me veten e kolegët e mediave që nuk u japim hapësirën e duhur zërave të tillë, dëshmitarë të një kohe që sa vjen e bëhet e largët. Koha është ajo që ne nuk e ndalim dot. Por ne mund ta fitojmë këtë kohë sa ende kemi gjallë njerëz si Viktori, dëshmitarë të një kohe që duhet të memorizohet jo për kuriozitet, por për të nxjerrë mësime e për të mos u përsëritur. Jam i sigurtë që ai është një “enciklopedi” historike në dy kohë e botë: diktaturë dhe post-diktaturë.
Dokumenti që po publikojmë sot të plotë, tregon qartë për persekucionin e Klerit Katolik në një kohë kur sistemi u çmend dhe vuri dorë mbi objektet e kultit fetar. Kjo letër gjithashtu na tregon për disidentët e vërtetë të një kohe të vështirë, e jo për gjoja “disidentë” që vetlindin sa herë u duhet për “pasaportë” interesash e për sa kohë nuk ka dëshmitarë…
Martin Leka
Intervista
Zoti Viktor Martini: si dhe ku e njihni At Pjetër Mëshkallën?
Ju po më bani nji pyetje që e ka përgjigjen të ditun. Unë jam i bindun që emni i këtij kollosi asht i njoftun në Shqipni e shumë vende të botës. Emni i Padër Mëshkallës pa më të voglin hezitim, mund të krahasohet me emnin e Tomas More që nuk pranoi me firmos për shkëputjen e Kishës duke mos njoft Papën e pas kësaj, dera e qelisë së tij u gozhdu.
Padër Mëshkalla asht busulla e moralit për të gjithë brezat pas tij.
Si ju ka rënë në dorë kjo letër, që është një dokument kaq i rëndësishëm dhe me vlera?
Po sikur ju kam tregue edhe herë të tjera, Mëshkalla asht mësuesi im. Prej tij jam ky që jam sot. Këtë letër ma lexoi para se ta postonte. Pasi e mbarova së lexuemi, me pyeti: “si të duket”? I thashë, madhështore por shumë e rrezikshme. -As që du të mendoj për rrezik, më tha i vendosun.
At Mëshkalla nuk u përkul kurrë. Lindi në djep të artë dhe vdiq I mbulue me kapak të artë. Lum si ai.
Këtë letër une dija të humbun. Për fat, para pak ditësh e gjeta brenda një libri dhe po ua dërgoj juve për ta publiku.
Comments
Post a Comment