I vendosin pllaka titaniumi në fytyrë, Sherri kryen ndërhyrjen kirurgjikale pas dëmtimit horror.

 Portieri shqiptar, Alen Sherri, ka kryer të enjten një ndërhyrje kirurgjikale pas dëmtimit të rëndë të pësuar ne ndeshjen e Kupes së Italisë ndaj Monzës. Gardiani shkodran u përplas me një shok skuadre, duke pësuar fraktura të shumta në fytyrë që e detyruan të linte fushën mes dhimbjeve dhe gjakosur.

Sipas njoftimit zyrtar të Frosinones, operacioni u krye me sukses nga një ekip specialistësh në Spitalin “San Camillo-Forlanini” në Romë. Gjatë ndërhyrjes u vendosën pllaka titaniumi për të stabilizuar zonën e dëmtuar të mollzës dhe kockën e hundës.

Sherri do të nisë së shpejti programin e rehabilitimit, ndërsa koha e rikuperimit është parashikuar të zgjasë rreth 60 ditë. Kështu, Frosinone do të duhet të bëjë pa shërbimet e portierit për të paktën dy muaj në vijim.


“Frosinone njofton se futbollisti Alen Sherri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të reduktuar një frakturë polifragmentare të kompleksit të djathtë orbital-maksilo-malar dhe kockave hundore, me rindërtim të dyshemesë orbitale dhe mbajtje me pajisje fiksimi prej titaniumi. Portieri do të fillojë programin e tij të rehabilitimit në ditët në vijim. Koha e rikuperimit pritet të jetë 60 ditë”, shkruhet në njoftimin e Frosinones.


Comments