PD dhe PSD bëhen bashkë, bllokojnë sërish këshillin bashkiak të Shkodrës!

Për herë të dytë bllokohet mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodër.

Këshilltarët e Partisë Demokratike janë larguar nga salla, duke vendosur të bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ndërsa Partia Socialdemokrate e kishte paralajmëruar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë, duke e cilësuar rendin e ditës si të motivuar politikisht dhe abuziv, në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Zëvendëskryetarët e Bashkisë Shkodër theksuan se projektvendimet në rend dite ishin të një rëndësie të veçantë, pasi përfshinin miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, menaxhimin e sezonit turistik në plazhet e Velipojës, dhe investime në fushën e kulturës. 
Sipas përfaqësuesve të bashkisë, vendimi i bojkotit është i motivuar politikisht dhe nuk i shërben interesit të qytetarëve, të cilët presin zgjidhje konkrete dhe jo përplasje partiake.

Këshilltarët e mazhorancës e konsideruan bojkotin si një akt të turpshëm, që i vë interesat partiake mbi nevojat reale të komunitetit dhe paralizon funksionimin normal të qeverisjes vendore.
Një këshilltar i PSD Gjovalin Ndoj bëri një lëvizje surprizë këtë të mërkurë dhe vendosi t'i bashkohet grupit të PS, duke mbështetur investimet dhe zhvillimin e Shkodrës.

Ky është rasti i dytë radhazi ku mbledhja e Këshillit Bashkiak dështon për shkak të mungesës së kuorumit, duke shtyrë vendime thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve të Shkodrës.

Comments