"Martesa jo më afër se 7 breza”, Shkurtaj: Për tre të diela ishte detyrim që të leçitej në kishë
Nëpër librat me legjenda shqiptare, mund të keni rastisur shpesh frazën “shtatë male kaptuar” ku jo pak herë rrëfehet për martesa të largëta. Legjendat burojnë të vërteta dhe ndonëse vërtet mund të mos kapërceheshin shtatë male për të kurorëzuar një çift, duhej të kapërceheshin shtatë breza.
Njohësja e etnografisë, Rita Shkurtaj shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se zonat e veriut kanë respektuar ndërthurjen e të drejtës zakonore të maleve me ligjet e kishës. Për këtë arsye, një çift mund të martohej vetëm nëse kishin largësi në 7 breza dhe të gjithë kishin përgjegjësinë të flisnin nëse ishin në dijeni të një lidhjeje gjaku.
Rita Shkurtaj: Martesa në zonat e gegnisë dhe kryesisht në zonat e veriut, duke marrë ligjin e maleve, përqafuar dhe ligjet e kishës, po flas për periudhat më të hershme…
Aldo: Ah, ka qenë e ndërthurur?
Rita Shkurtaj: Ka qenë e ndërthurur dhe për sa i përket martesës ka pasur disa kode që nuk kanë guxuar t’i shkelin. Për shembull, martesa mes dy të rinjve duhej patjetër të bëhej jo më afër se në 7 breza që do të thotë në 7 breza nëse je djali i axhës, i dajës e kështu nuk lejohet me ligjin e maleve, me ligjin e kishës.
Aldo: I parashikonin që atëherë prandaj pyesnin për fisin filan…
Rita Shkurtaj: Saktë. Në kishë për shembull ka qenë obligim që tre të diela sepse kryesisht nëpër të diela kishte më shumë besimtarë që shkonin në kishë, duhej të lëçitej që do të martohej filani me filanen. Përgjatë kësaj kohe duhej të shpërndahej në atë zonë që nëse dikush ka diçka që lidhet me pjesën e gjakut dhe e di këtë pjesë, duhej patjetër sepse atëherë ka qenë diçka edhe në peshën e njëfarë ndjesie./tvklan.al
Comments
Post a Comment