JO LËMOSHË, POR DREJTËSI E REHABILITIM REAL PËR TË PËRNDJEKURIT POLITIKË

Viktor Martini, i burgosur qysh në moshën 16-vjeçare, me gjithë familjen kanë bërë 104 vjet burg politik gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Shkrimtar dhe poet, z.Martini jeton prej vitesh në SHBA, por ështëgjithnjë shpirtërisht pranë Shqipërisë.Njëri nga inisiatorët e krijimit të së parës shoqatë të ish-të përndjekurve e burgosurve politikë, më 1991.

Në librin e tij të parë rrënqethës autobiografik, "Dëshmoj", ka pasqyruar me realizëm vuajtjet dhe terrorin që ra mbi familjen e tij të nderuar dhe patriotike gjatë rregjimit komunist.
Njeri fisnik, besnik, i zgjuar, intelektual me sqimë, i dashur e me humor të shkëlqyer. Me pak fjalë njeri i kompletuar.

Demokrat i flaktë dhe njeri me reputacion të madh në Shkodër e më gjërë, njeri i dëgjuar në sferat e inteligjencës shoqërore shqiptare dhe asaj politike pas viteve '90.


Fryma e Re: Zoti Martini, ju jeni ndër krijuesit e parë të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë në Shkodër e më pas edhe në rang vendi. Sot në Shqipëri ka mbi 100 parti politike dhe disa shoqata të të burgosurve e të të përndjekurve politikë.Pse ka ndodhur kjo sipas jush?

V. Martini: Në rradhë të parë ju falenderoj për mundësinë që më jepni, qëpërmes gazetës tuaj të ripërsëris mendimet e mia, që nuk pushuan kurrë, tash 23 vite.Kjo ka ndodhur se idealet e mia dhe të atyre që nuk janë më, nuk kanë qenë kurrë frymëzime për parà e karrige.

Unë isha vërtetë themelusi i parë në qytetin e Shkodrës i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë dhe kryetari i parë i saj.Më vonë isha dhe njëri nga nismëtarët për krijimin e kësaj shoqate në shkallë kombëtare e zv/kryetar i saj.Ju thoni me të drejtë se në vendin tonë ka mbi 100 parti e disa shoqata të persekutuarish politikë dhe doni të dini arsyet se përse ka ndodhur kjo.Kur diktatorët e kuptuan se po u vinte fundi, për të shpëtuar lëkurën menduan të vënë në funksionim pluralizmin politik, që nuk ishte tjetër, veçse një fabrikë djallëzore për të prodhuar sa më shumë parti.

Në fillimet e të ashtuquajturës demokraci shqiptare, Partia e vjetër e Punës, nuk lejoi të merrnin pjesë në votimet e para pluraliste partitë nacionaliste e gjithashtu edhe diasporën shqiptare dhe jo pa qëllim, por vetëm e vetëm që t'u jepte avantazh satelitëve (pjellave) të saj që të merrnin pushtetin e të vendosnin një urë kalimi, në mënyrë që diktatorët me duar të përgjakura, të shpëtonin pa dhënë llogari në një proces gjyqësor të tipitNurenberg. Mëvonë lejoi të krijoheshin shumë parti dhe kjo ishte taktika mëdjallëzore e saj. Ne shqiptarëvesikur na pëlqen më shumë kryet e vendit sesa dalja nga skllavëria.Dhelpëra (Ramiz Alija) këtë e dinte mirë. Shqiptarët, të trullosur nga stuhia i përngjanin një turme zogjsh që fluturonin me shpejtësinë e instinktit për të hyrë në pyll, duke menduar se nga ky pyll do ta sulmonin më fuqishëm gogolin e tyre(Diktaturën). Në këtë pyll u ndodh populli shqiptar, që duke krijuar mbi 100 parti,la të mbijetonin diktatorët e iu dha shansin satelitëve të rinj të mbizotëronin mbi demokratët e vërtetë. Përsa ju doni të dini se, cila është arsyeja që të përndjekurit politikë u shpërbënë në disa shoqata,është për të ardhur keq për këta njerëz që dolën nga burgjet e kampet e diktaturës plot plagë si Krishti prej kryqit dhe nuk ditën të qëndrojnë të bashkuar në një shoqatë të vetme, e cila do ishte shkëmbi më i rrezikshëm ndaj diktaturës. Lind pyetja: Kush e përçau këtë shoqatë dhe si ndodhi kjo? Personi kryesor që iu kushtua shkatërrimit të kësaj shoqate ishte dhe është Sali Berisha. Ai iu vërsul si skifer me format më të ndryshme përt'i çorientuar e armiqësuar njëri me tjetrin dhe për fatin e keq tonin, vazhdojnë të ndodhen edhe sot të përçarë në disa shoqata.

Fryma e Re: Në Shqipëri në këto mbi 23 vjet të quajtura demokraci, kanë qeverisur dy parti: PD e PS, përkatësisht, PD mëse 13 vite dhe PS, afro 10 vite, ndërkohë që akoma nuk është bërë dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare. A ka një fajtor politik për këtë dhe cili është?
V. Martini: Gjatë 23 viteve, kur për mbi 13 vite ka qenë në pushtet PD-ja dhe për afro 10 vite PS-ja,nuk ka qenë e mundur të bëhej dekomunistizmi i shoqërisë shqiptare. Pse, e mendoni ju se një ish-komunist fanatik, që hipi në krye të pushtetit do të shkatërronte idealet e partisë nënë? Është pikërisht ky komunist i devotshëm, që nuk ndryshoias veten e as fatet e popullit shqiptar, bile bile shkaktoiturbullira, duke rrezikuar ta çojë popullin shqiptar drejt një lufte civile, i cili edhe në këto momente, po përpiqet të sjellë trazira të reja. Pra ky është dhe ai fajtori kryesor që kërkoni ju, por sigurisht nuk përjashtohen edhe të tjerë. Nëse kërkohet një fajtor politik, ai ështëPD-ja (Berisha) që u hoq si e djathtë para shqiptarëve, pasi, nëse do të ishte vërtetë e tillë, ajo duhet ta kishte bërë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, përmes gjykimit juridik të sistemit diktatorial, hapjes së dosjeve dhe rehabilitimit të vërtetë të shtresës së gjërë të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Ndërsa nuk mund të pritej ta bënte një gjë të tillë PS-ja që vinte drejtpërdrejtë nga ish-nëna e saj PPSH, e cila bëri e bën çmos për t'i mbrojtur shkaktarët e tragjedisë shqiptare nga përballja me ligjin dhe gjykimin e tyre juridik e popullor.

Fryma e Re: Gazeta jonë "Fryma e Re", në numrin e parë të saj, më 20 shkurt 2014, botuar me rastin e 23 vjetorit të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, ka si titull të madh në faqen e parë: "Busti ra, diktatorët jo...". A mendoni se në Shqipëri kanë rënë vërtetë diktatura dhe diktatorët?
V. Martini: Mua as më shkon ndërmend se kanë rënë diktatorët. Ne kemi rrëzuar bustet e diktatorëve,që nuk janë gjë tjetër, veçse blloqe betonesh, të cilëve iu vërsulëm me devocion, si Don Kishoti mullijve të erës, por për arsye që as dreqi nuk e merr vesh, lamë të patrazuar diktatorë të mbrojtur nga satelitët e diktaturës, të cilëve iu bënë gjyqe kafeshë(kështu i kam thënë Berishës në telefon), sa për t'i hedhur hi syve opinionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar dhe që u shndërruan shpejt në diktatorë të rinj e i sollën vendit dëme të mëdha në gjithë këto vite të demokracisë së rreme.

Fryma e Re: Dihet se ju jeni një nga organizatorët e demonstratës për rrëzimin në Shkodër të bustit të Stalinit, më 14 janar 1990. A ka patur Shqipëria "Stalinë" edhe në këto vite të demokracisë?

V. Martini: Po, unë kam qenë një nga organizatorët e rrëzimit bustit të Stalinit në Shkodër. Për këtë jam arrestuar, më13  janar të vitit 1990 e jam torturuar në mënyrën më shtazore dhe dërguar në Spitalin psikiatrik të Elbasanit, sipas metodave Staliniane. Atje, sëbashku me Ndoc Liqejzën, Gjovalin Rrolbën,Gjovalin Zefin, Pjerin Velinë dhe Paulin Shtjefnin, na mbajtën në gjendje komoje me anë injeksionesh. Këta janë dhe dëshmitarë të torturave çnjerëzore të asaj kohe. Nga papjekuria e organizatorëve, rrëzimi i bustit të Stalinit dështoi, më 14 janar 1990, sepse vetë disa nga organizatorët, të devotshëm, por të paformuar, përhapën lajmin nëpër kafene, duke bërë që plani ynë të dështonte. Por, falë Zotit shpëtuam gjallë nga torturat.
Stalini ishte simboli i diktatorit të egër dhe i kultit të individit.Te ne në Shqipëri, me të ardhë në pushtet, më 1992, PD-ja gaboi tepër rëndë kur filloi krijimin e kultit Stalinian të Sali Berishës, duke e quajtur kolosi i demokracisë, legjendari, shpëtimtari i popullit shqiptar etj. Populli e kuptoi më së fundi se ishte plotësuar te Berisha kulti i individit dhe më së fundmi e rrëzoi si të tillë vitin që shkoi.Por ai mbetet një Stalin me të gjitha tiparet e tij.Por, edhe koha nuk e lejoi të bëjë më shumë se ç'bëri. Dhe unë falenderoj Zotin për këtë.

Fryma e Re: Në Shqipëri funksionon qëprej disa vitesh Instituti i Rehabilitimit të të Përndjekurve Politikë. A mendoni se është realizuar ky proces?
V. Martini: Dua të theksoj se në vitin 1991, në ish-palestrën e lojrave me dorë të klubit 17 Nëntori, në Tiranë,  u organizua greva e urisë e të persekutuarve politikë në shkallë kombëtare. Në atë kohë parlamenti kishte mazhorancë socialiste. Parlamenti në fjalë na dha pafajsinë, aprovoi dhënien e shpërblimit, premtoi punësim e shkollim për fëmijët e kësaj shtrese e shumë e shumë premtime, por në fund, pas disa qeverisjeve të alternuara PD-PS, erdhi zhgënjimi i madh i braktisjes 23 vjeçare. Dhe qëprej disa vitesh, gjatë qeverisjes së PD-së, u krijua Instituti i rehabilitimit. Një emër qesharak, pasi ne u paskëm dashtë rehabilituar si në kohën e PPSH-së. Jo, zotërinj politikanë të djeshëm e të sotëm, ju duhet të rehabilitoheni, për të na dhënë ato që keni aprovuar në seancat e zgjatura parlamentare, duke u tallur me plagët tona. JO lëmoshë, por drejtësi dhe drejtësi do të thotë që filizat e rinj të shkolluar sot nëpër universitetet e botës së qytetëruar demokratike, të jenë përfaqësues në institucionet e zyrat shtetërore. Lëmoshat u përkasin të varfëve. Ne kemi nevojë për pjesëmarrje në të gjitha organet shtetërore dhe në të gjitha fushat e jetës ekonomike e sociale të vendit. Vetëm atëhere do ta ndjenim fillimin e rehabilitimit real të shtresës sonë të vuajtur, por krenare, të lënë pas dore, por të aftë...

Fryma e Re: Me riardhjen në pushtet të PS vitin e kaluar, në krye të këtij institucioni është emëruar një ish i burgosur politik, zoti Bedri Blloshmi. E keni njohur dhe çfarë mendimi keni për të?

V. Martini: Në këtë institucion ishte zoti Miraka për disa vite. A mundi ai të realizonte dëshirat e tij për shtresën, të cilës i takonte vetë? JO! U largua se ishte deri diku Berishian.Tani kemi Blloshmin. Vjen nga një familje e persekutuar me dy të vrarë e mbi 100 vjet burg e internim. Qendrimet e veprimet e tij uroj e besoj se do të jenë me shumë dinjitet. I uroj të dalë faqebardhë nga kjo provë e sfidë jo e lehtë që ka marrë përsipër si drejtues i shtresës fisnike, të cilën përfaqëson dhe t'u qendrojë besnik detyrimeve ligjore që ka shteti për këtë shtresë.

Fryma e Re: Ju, sigurisht i ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri. Qëprej 2 vitesh zhvillon aktivitetin e saj politik, Partia Fryma e Re Demokratike (FRD), e drejtuar nga ish-presidenti i vendit, z Bamir Topi. A mund të na thoni diçka për këtë subjekt politik të së Djathtës shqiptare?  

V. Martini: FRD.u krijua si opozitë e diktatorit të ri, Berishës. E kam ndjekur aktivitetin e saj politik dy vjeçar dhe e rrespektoj. Në një takim para se të mbaronte mandatin, Presidenti Topi, më priti përzëmërsisht. Në fjalët e para unë i thashë: "Kam ardhur për ngushëllim dhe për urim". Ai mbeti disi i habitur, ndërsa unë pa i lënë kohë të më pyeste, vazhdova: "Po zoti President, ju ngushlloj se keni harxhuar kohë të gjatë duke i shërbyer një neodiktatori, por dhe ju uroj se, më në fund arritët të shkëputeni nga kthetrat e tij". I vlerësoj liderët e kësaj force të re politike për guximin për shkëputjen e krijimin e kësaj partie me emër domethënës, Frymë e Re, sikundër uroj sinqerisht ta përçojnë këtë frymë, për të cilën ka shumë nevojë politika jonë e plakur. Unë besoj se FRD do të dijë të korigjojë gabimet që çuan në zhgënjimin e madh të popullit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe për të kompensuar kohën e humbur gjatë qeverisjeve neokomuniste të derisotme.

Në konkluzion: Shqiponja ka dy krerë e dy krahë. Kurrë njëra kokë nuk sulmon kokën tjetër që ka në trupin e vet. E të dy krahët sëbashku fluturojnë në hapsira të pafundme, në paqe e harmoni. Kështu duhet të jenë edhe shqiptarët, të mos hanë njëri-tjetrin, por të ecin përpara drejt principeve të pastërta morale, sëbashku drejt një të ardhme të merituar si një nga popujt më të vjetër e të civilizuar të Evropës. Ky është urimi im dhe kërkesa e përshëndetja ime për popullin tim.
Marrë nga ‘’Fryma e Re”

Comments

Popular posts from this blog

"I dogji rrobat Almës dhe fshiu të gjitha bisedat"/ Gazetarja zbulon detaje nga tragjedia në Shkodër: Erdgysi i dërgoi një mesazh kunatës...

Historia e panjohur dhe tragjike e vrasjes me tank të dy shokëve nga Shkodra në 1983

E trishtë, ndërron jetë në aksident Ildi Pajtoni