Shpërthejnë dy bombola gazi në një lokal në Ishull-Lezhë

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e së martës magazinën e një lokali të vogël në Ishull-Lezhë. Flakët kanë shpërthyer në pjesën e pasme të godinës, e cila shërbente si depo, duke shkaktuar dëme materiale dhe djegien e disa pajisjeve shtëpiake.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë pas shpërthimit të dy bombolave të gazit. Në momentin e ngjarjes, kryefamiljari ishte duke përdorur pajisjet për prodhimin e rakisë.

Menjëherë pas njoftimit, forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke arritur të izolojnë dhe shuajnë plotësisht flakët. Falë reagimit në kohë, u shmang përhapja e zjarrit në pjesën tjetër të lokalit dhe në banesat përreth.

Ndërkohë, Policia e Lezhës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Comments