“Plumbi i Artë”/ Përplasje mes Dumanit dhe Alibejt gjatë seancës, ndërhyjnë punonjësit e sigurisë

Të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej, u përfshinë në një përplasje verbale në seancën e kësaj të marte tek “Plumbi i artë”.

Teksa tregonte për avokatët takimin e tij të parë me Nuredin Dumanin, Alibej tregoi detajet që i kishte treguar i pari mbi “masakrën e Bradasheshit”.

“Nuredini nuk më pranoi që vëllai i tij të ishte në ngjarje. Nuk e di, mbase ishte ndonjë hatërmbetje me vëllanë e tij”, tha Alibej, çka solli reagim të menjëhershëm të Dumanit.

“Me leje zonja kryetare”, tha Dumani duke u çuar në këmbë dhe drejtuar gishtin ndaj të penduarit Alibej: “Ky është mashtrim. Duhet të kërkosh falje për këtë!”.


Tensioni u ndërpre nga ndërhyrja e gjykatës, që urdhëroi punonjësit e sigurisë të zhvendosnin Dumanin në një kënd ku kishte më pak kontakt viziv me Alibejn.


Comments