Nis me debate seanca në Kuvend, opozita kërkon diskutimin e programit të qeverisë së re

Kuvendi u mblodh sërish këtë të mërkurë pas seancës së kaluar të 18 shtatorit, kur qeveria e re u votua në vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita.

Por edhe kjo seancë nisi me debate, pasi partia Demokratike kundërshtoi votimin e procesverbalit për seancën e kaluar.

Në rendin e ditës sot parashikohet votimi për përbërjen e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare.

Pjesë nga debati: 


Tabaku: Është hera e parë që programi i qeverisë kalohet pa u diskutuar. Nuk besoj që shqiptarët mund t’i lëmë në hije për programin e qeverisë. Kjo lidhet me procesverbalin, por është edhe kërkesë procedurale. Nuk besoj se doni ta mbani këtë njollë, z.kryetar. E kuptoj që nuk ka vizion, por nuk mund t’ia mohoni opozitës të ketë një debat parlamentar. Të drejtën e fjalës nuk na e hiqni dot dhe rregulloren nuk e shkelni dot.

Peleshi: Fjala merret për korrigjim apo saktësim të mendimit. Kalojmë te njoftimet.

Këlliçi: Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale, sikur ka funskionim normal këtu. Ai procesverbal nuk reflekton aspak situatën e ndodhur javën e kaluar në seancë. Mund t’i ktheheni edhe pamjet, kur njoftuat 5 minuta pushim njoftuat se kreu i grupit të PD-së do merrte fjalën. Në vetëm 25 minuta diskutim, nuk u dëgjua as fjala e opozitës. Kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju si kryetar.

Comments