Masakra në Shkodër, në kërkim Barush Bregu dhe një i mitur! Siguruan armët, u zbulohet edhe baza me municion luftarak!

Një ditë pas masakrës me 2 të vrarë e 2 të plagosur në Shkodër, Policia ka arritur të identifikojë dhe shpallur në kërkim dy prej personave që kanë ndihmuar autorin Ragip Gila të sigurojë armët, me të cilat qëlloi me breshëri drejt lokalit ku ndodheshin shënjestrat pranë Bashkisë së Shkodrës. Njëri prej të shpallurve në kërkim është një i mitur, 17 vjeç, ndërsa tjetri një figurë jo pak e njohur për blutë e Shkodrës, Barush Bregu. 39-vjeçari njihet edhe si Bajram Bregu dhe dyshohet se është anëtar i grupit të Ibrahim Licit, grupi rival i Bajrave në Shkodër.

Baza me armë

Gjatë aksionit, policia ka arritur të zbulojë edhe një banesë që ishte kthyer në një bazë armësh. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. Banesa rezulton në emër të një gruaje që ndodhet jashtë shtetit, emri i së cilës nuk bëhet me dije, por përdorej nga Bregu dhe i mituri për aktivitetin e tyre kriminal.

Comments