Komuniteti egjiptian në Shkodër/ Shatza: Fëmijët në shkolla e kopshte, në klasën e parë janë regjistruar 170 fëmijë

Fëmijët e komunitetit egjiptian në Shkodër po bëhen çdo ditë e më shumë pjesë e shkollave dhe kopshteve publike, duke ndjekur edukimin krahas bashkëmoshatarëve të tyre. Prindërit po e shohin arsimin si mundësinë më të mirë për integrimin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre.

Kreu i Shoqatës së Romëve dhe Egjiptianëve në Shkodër, Kydret Shatza, thekson se vetëm këtë vit shkollor, në klasat e para janë regjistruar 170 fëmijë të komunitetit egjiptian, një shifër që tregon rritjen e angazhimit të familjeve dhe përkushtimin për të mos lënë fëmijët jashtë procesit arsimor.


“Po shohim një ndryshim të madh vit pas viti. Prindërit janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e shkollës dhe kjo na bën optimistë për të ardhmen e fëmijëve të komunitetit tonë”.



Një shembull i kësaj është Kledisi, 10-vjeçar, i cili ndjek rregullisht shkollën 9-vjeçare “Liria”. Ai tashmë është në klasën e pestë dhe thotë se anglishtja është lënda e tij e preferuar.


“Më pëlqen të mësoj anglisht, sepse është një gjuhë që të ndihmon të komunikosh me shumë njerëz. Shkolla është e rëndësishme për mua”.

Megjithatë, pavarësisht progresit, sfidat nuk mungojnë. Vështirësitë ekonomike dhe sociale vazhdojnë të ndikojnë tek shumë familje, duke rrezikuar në disa raste braktisjen e shkollës. Kostoja e librave, mjeteve shkollore dhe transportit shpeshherë bëhet barrë e rëndë për prindërit.

Për të zbutur këto probleme, institucionet arsimore në bashkëpunim me organizata vendore dhe ndërkombëtare po ofrojnë mbështetje konkrete. Kjo përfshin shpërndarjen e librave falas, dhurimin e materialeve shkollore, përfshirjen e fëmijëve në aktivitete jashtëshkollore, si dhe ofrimin e kurseve ndihmëse për ata që kanë nevojë për mbështetje shtesë në mësime.

Përfaqësues të shkollave në Shkodër thonë se krahas arsimimit, po punohet edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të prindërve, për t’i inkurajuar ata të jenë më afër fëmijëve gjatë procesit mësimor.

Integrimi i komunitetit egjiptian në arsim është një proces i gjatë, por shifrat dhe shembujt pozitivë tregojnë se rruga drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse është e mundur.



Comments