Naile Hoxha, bilbili i Shkodrës që vazhdon të këndojë në kujtesën dhe shpirtin e shqiptarëve.

Nga Albert Vataj

Ka zëra që nuk shuhen kurrë, edhe kur jeta mbyll qerpikët e tyre të fundit. Ka këngëtarë që nuk këndojnë vetëm me fyt, por me zemër, me shpirt dhe me kujtesën e një kombi. Një prej tyre ishte Naile Hoxha, bilbili i Shkodrës, që më 29 gusht 2016 i la skenës shqiptare një heshtje të rëndë, por edhe një trashëgimi të pavdekshme.

Zëri i saj u bë strehë për mallin, tingull për dashurinë, gjuhë për dhimbjen dhe urë për gëzimin. Në çdo notë kishte një dridhje zemre, një pëshpëritje të liqenit, një britmë mali e një dritë qyteti. Naile Hoxha nuk ishte thjesht këngëtare; ajo ishte rrëfimtare e shpirtit shqiptar.

Për gati gjashtë dekada ajo ndërtoi një karrierë që u bë shkollë për brezat, duke dëshmuar se arti popullor është një gjuhë universale që nuk vjetrohet kurrë. Këngët e saj, “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Seç po fryn fllad pranvere”, mbeten gurë kilometrikë të trashëgimisë sonë muzikore, ku ndërthuren dashuria dhe trishtimi, krenaria dhe malli, fisnikëria dhe ndershmëria.

Në çdo dalje skenike, me kostumin tradicional shkodran, ajo mishëronte identitetin e një kombi: krenare, e rrënjosur në traditë dhe e hapur ndaj botës. Përtej talentit, Naile Hoxha ishte ambasadore e kulturës shqiptare, duke prezantuar Shqipërinë si një vend me këngë që rrëfejnë histori. Thjeshtësia, buzëqeshja fisnike dhe dashuria e pafund ndaj këngës e bënë të pavdekshme në kujtesën e publikut.

Sot, këngët e saj vazhdojnë të kumbonin në çdo dasmë, festival dhe moment gëzimi a malli, duke e mbajtur gjallë frymën e Shkodrës. Naile Hoxha mbetet një yll që nuk shuhet kurrë, një zë që u ngjit në piedestalin e artit kombëtar dhe që vazhdon të ndriçojë shpirtin e shqiptarëve.



Comments