Moti i keq shkakton kaos në Lezhë, vijon prej më shumë se 6 orësh trafiku i rënduar

Moti i keq detyroi pushuesit që të iknin nga plazhet. Në Lezhë vijon prej orës 14:00 trafiku i rënduar i mjeteve që largohen nga plazhi. Largimi i pushuesve kosovarë nga plazhet e Shëngjinit, Tales dhe Velipojës ka shkaktuar trafik të rënduar gjatë mbrëmjes së sotme, edhe në Rrugën e Kombit.

Segmenti më problematik është paraqitur nga Balldreni, Miloti dhe deri në Rrëshen, ku janë krijuar radhë të gjata kilometrike automjetesh. Për të menaxhuar situatën, policia rrugore është vendosur në pika të ndryshme të aksit, me synim lehtësimin e lëvizjes së automjeteve, megjithatë fluksi i lartë ka sjellë vonesa të konsiderueshme.

Qarkullimi është vështirësuar gjithashtu edhe në rrugët dytësore, ndërsa dalja nga Shëngjini mbetet problem për drejtuesit e automjeteve. Në akset kryesore dhe kryqëzime janë vendosur punonjës policie për të menaxhuar situatën.

Pushues të ndryshëm thanë se nga qyteti i Shëngjinit e deri te hyrja e rrugës së Kombit i janë dashur 6 orë në radhë.

Comments