Historia dhe misioni i Gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër

Gjimnazi publik në Shkodër u hap me vendim të Këshillit të Ministrave më 11 gusht 1922, pa ndonjë ceremoni zyrtare. 37 nxënësit e parë, së bashku me katër mësues dhe një nëndrejtor, nisën mësimet në shkollën e parë laike të qytetit. Mësimi zhvillohej në kushte modeste: disa banka të vjetra, dy tryeza dhe dy dërrasa të zeza në klasa, si dhe një tryezë për këshillin pedagogjik dhe një për drejtorinë.

Shtypi i kohës shkruante për rëndësinë e hapjes së gjimnazit:
“Gjimnazi është problem jetik për shtetin dhe shkodranët duhet të krenohen me të. Gjimnazi i shtetit është me të vërtetë instituti i mesëm që kemi për faqe të bardhë në jetën e re të teknikës arsimore.”

Drejtori i parë i gjimnazit ishte Dr. Xhevat Korça, një figurë e njohur e arsimit të kohës.

Në vitin e parë shkollor u hapën dy klasa: një me 32 nxënës dhe tjetra me 5 nxënës. Gjimnazi kishte tre degë: reale, klasike dhe normale.

Në vitin shkollor 1927–1928, në degën normale u zhvilluan për herë të parë provimet e maturës.

Në vitin 1928–1929, maturantët e degës reale dhe klasike dhanë provimet e para në gjuhën shqipe, ku u diplomuan pesë kandidatë. Në procesverbalin e vitit thuhej:
“Për herë të parë bëhet në Shqipni, në gjuhën shqipe, provimi i maturës. Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë ky hap me të cilin fillon indipendenca edhe në fushën arsimore të kombit shqiptar.”


Në vitin 1933 u hap dega femërore e gjimnazit, me nëndrejtore znj. Matilde Qarkaxhija. Në vitin 1936 kjo degë u shkëput dhe u bë shkollë më vete, por në vitin 1946 u ribashkua me gjimnazin e shtetit.

Sot, Gjimnazi “28 Nëntori” synon të jetë një qendër edukimi moderne, ku ndërthuren shkolla, familja dhe komuniteti. Misioni i tij është zhvillimi akademik, social, fizik dhe emocional i nxënësve, duke shfrytëzuar të gjitha burimet që ofron komuniteti.

Shkolla ka si objektiv:

Zhvillimin cilësor të arsimit,

Përgatitjen e të rinjve si qytetarë aktivë,

Mbështetjen e familjeve dhe përmirësimin e arritjeve të nxënësve,

Kontributin në zhvillimin e komunitetit shkodran.


Comments