Binjaket Lidra & Laura janë një shembull i bukur i pasionit dhe këmbënguljes!
Binjaket Lidra dhe Laura u diplomuan në Fakultetin Ekonomik të Shkodrës në vitin 2022, duke u dalluar për përkushtimin dhe pasionin e tyre për fushën e financave. Pas përfundimit të studimeve bachelor, ato vendosën të vijojnë rrugën akademike jashtë vendit dhe sot janë studente të Masterit Shkencor në Universitetin e Vjenës, Austri, një nga institucionet më prestigjioze të Europës.
Rruga e tyre profesionale ka marrë drejtim të suksesshëm që në hapat e parë:
Lidra është punësuar me kohë të plotë si financiere në kompaninë ndërkombëtare Imperial në Vjenë, ku po fiton eksperiencë të vyer profesionale.
Laura, nga ana tjetër, ka nënshkruar një kontratë internship-i si financiere në një kompani të njohur prodhimi në kryeqytetin austriak, duke hapur kështu portën për karrierën e saj në këtë fushë.
Një nga ditët më të paharrueshme për Lidren ka qenë momenti kur ajo u përzgjodh për të pritur Zonjën e Parë të Shqipërisë, së bashku me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, gjatë vizitës së tyre në Austri. Ky ishte një çast krenarie dhe mirënjohjeje për të, që i dha më shumë motivim të ecë përpara në karrierë dhe jetë.
Comments
Post a Comment