Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë alarmante, me 17 vatra aktive në disa qarqe të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se janë angazhuar rreth 1000 forca ushtarake dhe civile për përballimin e flakëve dhe për izolimin e zjarreve që rrezikojnë zonat e banuara dhe sipërfaqet pyjore.
Operacionet për menaxhimin e emergjencës po koordinohen nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, prefektët lokalë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Në terren janë përfshirë gjithashtu pesë helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonat më të rrezikuara si Delvinë, Konispol, Berat, Dimal dhe Bërzhitë.
Deri më tani, janë neutralizuar nëntë vatra zjarri, të cilat vijojnë të monitorohen nga forcat në terren për të shmangur riaktivizimin për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, si era dhe temperaturat e larta.
Për të përforcuar ndërhyrjen nga ajri, pasditen e sotme pritet të mbërrijnë në Shqipëri edhe dy avionë zjarrfikës të tipit “Canadair”, një nga Italia dhe një nga Kroacia. Këto mjete janë pjesë e ndihmës ndërkombëtare në kuadër të mekanizmave europianë të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.
Comments
Post a Comment