Vllaznia niset drejt Islandës/ Shkodranët janë gati për sfidën ndaj Vikingur në Rejkjavik

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në orën 05:00, skuadra e Vllaznisë ka lënë qytetin e Shkodrës për të udhëtuar drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, prej nga është nisur me fluturim drejt Islandës.

Ky udhëtim është pjesë e përgatitjeve për sfidën e kthimit ndaj Vikingur, në kuadër të turit të dytë të UEFA Conference League.

Ashtu si në sfidën ndaj Daugavpils në turin e parë, edhe këtë herë skuadra ka udhëtuar e ndarë në dy grupe: grupi kryesor me lojtarët dhe stafin teknik, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit me përfaqësues të presidencës, gazetarë dhe mbështetës me një fluturim të veçantë.

Trajneri Edi Martini zhvilloi dje në Shkodër seancën e fundit stërvitore para nisjes, duke përzgjedhur thuajse formacionin që pritet të hedhë në fushë të enjten.

 Megjithatë, vendimet përfundimtare do të merren në seancën zyrtare të së mërkurës në stadiumin e Rejkjavikut, ku do të luhet edhe ndeshja.

Lajm i mirë për kuqeblutë është rikuperimi i çështjes së vizave për dy lojtarët sulmues, Mensah dhe Bismark.

 Fillimisht të penalizuar nga vonesa proceduriale, ata iu bashkuan ekipit pas ndërhyrjes së presidentit Alban Xhaferi dhe ndihmës nga Ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Vllaznia ka fituar takimin e parë me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi”, dhe tashmë kërkon të mbyllë me sukses këtë përballje për të siguruar kalimin në turin e tretë të Conference League.

Comments