Sot, Gert Bogdani do të festonte 45-vjetorin! Dikur festë, sot trishtim, emocionon Edlira Çepani

Politikani Gert Bogdani do të festonte sot ditëlindjen e tij te 45-të dhe në këtë ditë Edlira Çepani nuk mund të qëndronte pa shkruajtur disa rreshta për dashurinë e saj të jetës, babain e dy engjëjve të saj, shokun dhe njeriun ku shtrinte kokën kurdo herë dhe sa herë që ndihej e pambrojtur.

Në llogarinë e saj në “Instagram”, Edlira ka postuar në foto krah Gertit duke e falenderuar atë që erdhi në jetën e saj dhe përgjatë këtyre viteve e bëri akoma dhe më të bukur.Ndërkohë që këtë ditë që dikur ishte festë në familjen e tyre të vogël, ajo e ka “shfrytëzuar” për t’u përcjellë një mesazh të gjithë atyre që i kanë pranë ende njerëzit e tyre të zemrës.

“Faleminderit që erdhe në këtë botë dhe e bëre një vend më të mirë. Festojani ditëlindjet sa më shumë njerëzve të zemrës, thuajani sa rëndësi kanë për ju çdo ditë, thuajani në çdo moment sa i doni, përqafojini sa më shumë, dëgjojini, buzëqeshuni sa më shumë. Sepse një ditë do mbeten veç kujtimet e gjithë këtyre gjërave”, shkruan ajo.

Gerti Bogdani, politikani i denjë, “tironsi” i mirë, babai shembullor i Ajrës dhe Reinartit u nda nga jeta papritur më 18 shtator të vitit të kaluar, në ambientet e Hotelit “Rogner” në Tiranë, teksa ndodhej në shoqërinë e kolegëve dhe miqve për të marrë pjesë në një takim.

Fatkeqësisht, ai pësoi një goditje të papritur në zemër. Ndonëse u largua me shpejtësi në spital, mjekët nuk arritën që ta shpëtonin. Gerti Bogdani la pas bashkëshorten e tij, Edlira Çepani, dhe dy fëmijë të mrekullueshëm, Ajrën dhe Reinartin.

Comments