Projekt Kodi i Ri Penal masa me burg për gazetarët që publikojnë kritika apo dokumenta sekrete gjatë hetimit
Nga shtatori, parlamenti i ri do të nisë punën me një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe medias. Drafti i ri i Kodit Penal, hartuar nga grupi i punës i kryesuar nga Arben Rakipi dhe i mbështetur nga krerët më të lartë të drejtësisë, ka ndezur alarmin. Dhe me të drejtë.
Madje, edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk i kurseu ironitë, duke thënë se “me këtë draft, edhe po të shikosh gruan me shumë dashuri, mund të dënohesh me burg”.
Por nuk është vetëm ironia që bën zhurmë. Janë nenet konkrete, me pasoja të rënda për gazetarët, juristët, qytetarët kritikë dhe çdo zë publik që guxon të flasë.
Neni 516: Burg për gazetarët që publikojnë informacione “konfidenciale”
Ky nen parashikon burg nga 2 deri në 6 vjet për ata që “zbulojnë të dhëna sekrete apo konfidenciale” që lidhen me dëshmitarë të drejtësisë ose bashkëpunëtorë të saj. Në teori mund të kuptohet si mbrojtje për dëshmitarët. Në praktikë, është kërcënim i pastër për mediat.
Gazetarët që raportojnë raste të bujshme, publikojnë dokumente të dalë nga dosje të hetimit, ose thjesht mbështeten në burime të brendshme, rrezikojnë burg. Mjafton që një prokuror të quajë informacionin “konfidencial” dhe gazetari arrestohet.
Pika 3 e këtij neni e përforcon frikën: edhe publikimi “me çfarëdolloj forme” – pra edhe në media online, rrjete sociale apo portale – shton dënimin deri në 1/3. Dhe nëse e kryen një person juridik (një media), ajo dënohet me gjobë ose me masa penale sipas nenit 123 të Kodit.
Pra, ose mos boto asgjë që prek drejtësinë, ose përgatitu për ndjekje penale.
Neni 536: Tre vjet burg për komente publike që kritikojnë gjykatat
Ky është edhe më absurd. Sipas draftit, çdo koment që synon të ndikojë vendimmarrjen e gjykatës mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Dënohen fjalët. Opinionet. Kritikat. Nëse një gazetar, një analist apo një qytetar thotë publikisht se një gjykatë është e kapur, apo vendimi i saj i dyshimtë – përpara se të jepet vendimi përfundimtar – mund të akuzohet për ndikim ndaj drejtësisë.
Madje edhe raportimi për prova të manipuluara, për skandale në dosje, apo për presione ndaj gjyqtarëve mund të përdoret si “ndikim në pavarësinë e gjykatës”.
Ky projekt është një sulm i hapur ndaj fjalës së lirë.
Me këtë Kod Penal, i vetmi garant i lirive themelore në vend do të jetë heshtja. Gazetarët duhet ose të mbyllin gojën, ose të përgatiten për qeli.
Kjo është ftesa për kthimin e frikës dhe kriminalizimin e informacionit. Dhe nuk mund të kalojë në heshtje.
Comments
Post a Comment