Policët në rresht dhe fadromat në punë, vijon aksioni i shembjeve në Theth

Ndërsa sezoni turistik në Theth është në kulmin e tij, qeveria vijon aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Operacioni, tashmë në ditën e gjashtë, ka mobilizuar forca të shumta policore që janë vendosur në formacione sigurie përgjatë zonës, ndërsa fadromat vazhdojnë shembjen e objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Ky aksion po zhvillohet në një periudhë kur turistët dhe banorët presin qetësi dhe siguri në një nga destinacionet më të frekuentuara malore të Shqipërisë

Megjithatë, në vend të pushimeve të qeta, zona është përfshirë nga tensione, me përplasje verbale mes banorëve dhe forcave të rendit.

Kryeministri Edi Rama e quan këtë situatë “masakër të mirëfilltë”, dhe nga larg, natyrisht, kërkon që krimineli i padukshëm të ndëshkohet, ndërsa në terren fadromat filluan prishjen e ndërtimeve pa leje, ashtu siç urdhëroi ai.
Përveç akuzave ndaj ndërtuesit anonim, Rama kritikoi ashpër prokuroren Elsa Gjeli në Shkodër, e cila sipas tij nuk arriti të nisë hetimet, duke i kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të shqyrtojë shkarkimin e saj një lojë që duket më shumë si spektakël për opinionin sesa zgjidhje reale.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës thotë se “masakra” në fjalë janë vetëm kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosur mbi rrasa guri dhe që nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm sipas ligjit.

Në këtë përplasje mes akuzave politike dhe interpretimit ligjor, fadromat u hodhën në veprim për të hequr ato që Kryeministri i quan “kabina të kriminelit që plagosi Thethin”.

Comments