Paketa e Maleve, mbi 2800 kërkesa nga Thethi në Gjirokastër

Rreth 2800 kërkesa interesi në pak më shumë se 2 javë nga nisja e aplikimeve, Paketa e Maleve po josh shqiptarët. ”Presim që interesi për Paketën e Maleve të vijë në rritje gjatë ditëve në vijim. Shifrat janë inkurajuese, por potenciali është edhe më i madh. Arsyeja është e thjeshtë: zonat malore në Shqipëri, përfshirë ato me bukuri të rralla natyrore dhe trashëgimi kulturore, kanë qenë të lëna pas dore për vite me radhë. Krahasuar me zonat bregdetare, ato kanë marrë më pak vëmendje, si nga shteti ashtu edhe nga investitorët privatë. Kjo skemë është një përpjekje konkrete për të balancuar zhvillimin dhe për të sjellë më shumë mundësi ekonomike në këto territore të izoluara”, thotë Enkelejd Musabelliu, zv/ministër i MEKI.

Heqje e taksës mbi pronën e infrastrukturën bashkë me përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ai nga të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë qytetarët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri. Përparësi për investime me anë të Paketës së Maleve do kenë ata individë që tashmë shfrytëzojnë këto zona. Ata që i kanë në përdorim prej më shumë se 10 vitesh, mund të blejnë këto prona me çmimin simbolik 1 euro.
Nga zero taksa te prona për 1 euro, Paketa e Maleve po shfaqet si një mundësi e re ekonomike dhe sociale për Shqipërinë e lartësive. Sfida mbetet në zbatimin në terren, aty ku historia e politikave shqiptare shpesh ka ngecur. Nëse interesimi i qytetarëve shoqërohet me mbështetje të vërtetë institucionale, ky program mund të jetë më shumë se një paketë, mund të jetë një kthesë.

Comments