Lirimi i hapësirave publike, Rama: Asnjë lavazh mes lagjeve për të larë makinat në trotuare. Hiqini ose paguani gjobën

Në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të martë (29 korrik) se do ndalohen bizneset e lavazheve që lajnë makinat në trotuare. Ai paralajmëroi gjoba krimi mjedisor për bizneset të cilat procedojnë kundër këtij vendimi.

“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, shkruan Rama në rrjetin social Facebok.

Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi një sërë ndryshimesh në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, me qëllim frenimin e abuzimeve me ndërtimet dhe mbrojtjen e hapësirave publike.

Ndryshimet parashikonin ndalimin e bllokimit të rrugëve dhe zonave të përbashkëta, si dhe lehtësimin e procedurave për investitorët që veprojnë brenda kornizës ligjore.

Prej disa javësh, ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.

Comments