Nuk deklaruan 33 mln euro të përfituara nga rrjetet sociale, 100 persona në hetim

Ka nisur hetimi për 100 persona/subjekte, pasi nuk kanë deklaruar të ardhurat e përfituara nga rrjetet sociale.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bëhet fjalë për rreth 33 milionë euro të padeklaruara, burimi i të cilave janë Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google, PayPal.

“Drejtoria e Hetimit ka nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale (Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal), ku nga verifikimet paraprake dyshohet për rreth 33 milionë euro të padeklaruara!”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Ndërkohë, u bëhet thirrje të gjithë këtyre tatimpaguesve, që të përmbushin detyrimet e tyre sa më shpejt për të shmangur penalitetet.

“Administrata Tatimore ka njoftuar më datë 29 mars, përmes rrjeteve sociale, që individët dhe subjektet të përmbushin detyrimet ligjore nëpërmjet vetëdeklarimit në DIVA 2024.
Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Comments