Ndarja nga jeta e poetit Dashamir Dini, ish-shefi i Krimeve: Sot Shkodra humbi një figurë të rrallë, por që la pas një kujtim të thellë!
Është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm Dashamir Dini, një figurë e shquar e Shkodrës, poet, gazetar dhe ish-drejtor i Radio Shkodrës.
Për lajmin e trishtë ka reaguar dhe Saimir Rrustemi, ish-shef i Krimeve në Shkodër dhe tashmë drejtues i Policisë Bashkiake në kryeqendrën e veriut.
Teksa ka postuar disa vargje të shkruara nga Dashamir Dini, Rrustemi e përshkruan poetin si një njeri të mençur dhe një zë i qetë, vitet e fundit të jetës i jetoi në dhimbje, të cilat nuk i tha asnjëherë, por shkroi për to.
"Vdekja më vështron me sytë tuaj…
Retë dhe pulëbardhat digjen nga perëndimi.
Mbi buzët tuaja prej lamtumire, më pret puthja e fundit.
…Unë pres i veshur me smokingun e zi te muzgut, te takoj diten tjeter..."
Me këto vargje të thella, poetike e të trishta, Dashamir Dini dukej sikur e ndiente përbrenda një fund të heshtur që po afrohej.
Sot, ai nuk është më mes nesh.
Ish-drejtori i Radio Shkodrës, zëri i qetë dhe i mençur që për vite u bë pjesë e pandarë e jetës kulturore të qytetit, na la në heshtje. Poet i shpirtit të ndjeshëm dhe njeri i fjalës së matur, ai jetoi vitet e fundit në heshtje dhe me një barrë të rëndë në zemër, një dhimbje që s’e tha, por që e shkroi.
Sot Shkodra humbi një figurë të rrallë, por la pas një kujtim të thellë, që do të jetojë përmes, vargjeve dhe kujtimit të një njeriu të mirë.
Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë atyre që e njohën e e deshën.
Qofsh i xhehnetit Dashamir Dini!
Zoti ta qetesofte shpirtin!”, thuhet në reagim.
Dashamir Dini ishte gjithashtu babai i këngëtarit Ergi Dini, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident më motor në kryeqytet në vitin 2016. Në atë kohë Ergi ishte vetëm 22 vjeç teksa po udhëtonte me motor së bashku me shokun e tij, 21-vjeçarin Klejdi Halili, i cili gjithashtu humbi jetën në vend nga aksidenti.
Comments
Post a Comment