Drejtues të Bashkisë Shkodër kanë pritur gjatë ditës së sotme një grup tregtarësh ambulantë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në plazhin e Velipojës.
Gjatë takimit, Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, i ka njohur tregtarët me vendimin e Bashkisë për lirimin e hapësirës pranë shatërvanit dhe stolave në shëtitoren e Velipojës, e cila është e dedikuar për pushuesit dhe turistët.
Bashkia Shkodër u ka kërkuar tregtarëve të paraqesin një propozim të tyre për zhvendosjen nga kjo hapësirë, por nuk është paraqitur asnjë alternativë nga ana e tyre.
Në mungesë të një propozimi konkret nga vetë tregtarët ambulantë, Bashkia Shkodër do të zbatojë planin e saj për lirimin e kësaj hapësire qendrore të shëtitores, në funksion të vizitorëve dhe pushuesve në Velipojë.
Drejtoria e Planifikimit Urban ka përcaktuar tashmë edhe zonën ku do të sistemohen tregtarët, duke u mundësuar atyre akses me vizitorët dhe zhvillimin e aktivitetit tregtar në përputhje me rregullat dhe lejet përkatëse.
Janë caktuar 28 vende për tregtarët, të cilat do të vendosen përgjatë pjesës qendrore të shëtitores në plazhin e Velipojës.
Comments
Post a Comment