Ishte i dehur dhe shkaktoi aksident, SPAK kërkon 6 muaj burg për deputetin

Prokuroria e Posaçme ka lexuar konkuzionet përfundimtare për deputetin e PD-së, Qani Xhafa. Prokurori Sotir Kllapi kërkon dënimin e tij me 6 muaj burg, dënim që të pezullohet dhe kthehet në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.

SPAK e mori të pandehur Xhafën për akuzën e drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt. Hetimet dhe procesi ndaj tij u kryen në gjendje të lirë. Nga hetimet rezulton se në muajin mars të vitit 2023, ligjvënësi Xhafa teksa drejtonte në gjendje të dehur një makinë “Toyota”, ka shkaktuar një aksident në Elbasan, duke goditur një shtyllë elektrike.

Në 20 mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe kaloi për gjykim në GJKKO dosjen ndaj deputetit demokrat. Aksidenti ndodhi më 13 mars të vitit 2023, ndërsa Policia e arrestoi pas ngjarjes ligjvënësin opozitar që zëvendësoi ish-deputetin Luçiano Boçi, i cili në atë kohë kandidoi për kryebashkiak në Elbasan dhe humbi. Xhafa u lirua një ditë pas arrestimit dhe u la për hetim në gjendje të lirë.

Comments