Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, Apeli i Posaçëm thërret për dëshmi në procesin ndaj kopshtarit, Dritan Rexhepin e Aldo Majnishtën. SPAK: Bexhdili përdori ENCROCHAT

Gjykata e Apelit të Posaçëm që po rigjykon Festim Bexhdilin, i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, vendosi të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të bashkë të pandehurve Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta për të dëshmuar në procesin ndaj kopshtarit të Golden Resort.

Bexhdili ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe çështja u kthye për rigjykim në Apelin e Posaçëm.

Gjatë seancës së të mërkurës, avokati Ilir Murati bëri disa kërkesa, siç ishte thirrja e një eksperti për interpretimin e pamjeve filmike të Golden Resort, ku shfaqet për herë të fundit Jan Prenga i pajetë, përpara se të zhdukej trupi.

Gjithashtu, ai kërkoi pyetjen e një dëshmitareje me emrin Enxhi, për shkak se ajo më herët ka deklaruar se Bexhdili ka përdorur telefon të enkriptuar ENCROCHAT.

Avokati deklaroi se janë zbërthyer komunikimet në Sky ECC dhe se Altin Hajri nuk ka komunikime me Festim Bexhdilin. Komunikimet e Altin Hajrit janë me të pandehurin Gentian Doci Funiqi, i cili udhëzon që Festim Bexhdili të mbyllë gojën dhe të mos flasë kundër shkodranëve, duke nënkuptuar rrëmbyesit.

Prokurorja Elida Kaçkini deklaroi në proces se janë sekuestruar dy celularë në momentin e arrestimit të Bexhdilit, njëri prej të cilëve është i enkriptuar, por nuk është mundur të zbërthehet. Kaçkini deklaroi gjithashtu se nga hetimet rezulton se Festim Bexhdili është anëtar i grupit kriminal, kjo pasi në momentin kur është rrëmbyer Jan Prenga, i pandehuri Festim Bexhdili është nisur nga plazhi në drejtim të Shijakut.

“Avokati po tenton të shmangë faktin se Bexhdili ka përdorur telefon të enkriptuar në një kohë që ne si prokurori e kemi të provuar që e ka përdorur. Këtë e pranon dhe dëshmitarja Enxhi, e cila është në lidhje shoqërore me të pandehurin. Bexhdili është pjesë e grupit kriminal dhe nuk është gjendur rastësisht në vendin apo kohën e gabuar,” tha prokurorja.

Avokati këmbënguli që të ekspertohet telefoni dhe prokuroria të dorëzojë provat nëse ka të tilla.

Kërkesat e avokatit u rrëzuan, ndërsa u vendos që mbrojtësit t’i vihen në dispozicion pamjet filmike ku shfaqen rrëmbyesit, momenti kur trupin e pajetë të Prengës e nxjerrin nga makina Range Rover dhe e fusin në një furgon për ta larguar, dhe ende nuk dihet ku është varrosur.

Festim Bexhdili shfaqet duke iu dërguar ujë dhe rroba rrëmbyesve, e po ashtu kazma e lopata që përdoren sipas prokurorisë për varrosjen e pengut. Altin Hajri, pronari i Golden Resort, shfaqet duke shkatërruar kamerat e sigurisë së resortit. Ai po gjykohet në një proces të ndarë për akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Si urdhërues të rrëmbimit akuzohen Dritan Rexhepi dhe Gentian Doci Funiqi, të cilët gjithashtu po gjykohen bashkë me të pandehurit e tjerë: Aldo Majnishta, Artan Docaj, Korado Geshtenja dhe Martin Bleta.

Jan Prenga u rrëmbye dhe u zhduk pa gjurmë, pasi vëllai i tij kishte grabitur në një port në Britaninë e Madhe një sasi të madhe kokaine, që sipas SPAK i përkiste Funiqit dhe Rexhepit.

Si prova të reja në proces janë paraqitur komunikimet në Sky ECC mes të pandehurve: Altin Hajri, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doci Funiqi, pas rrëmbimit të Jan Prengës dhe zhdukjes së tij.

Comments