Bashkimi Evropian është i vendosur të avancojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë integrimin e vendeve të rajonit në familjen evropiane. Në një intervistë për televizionin gjerman WELT, komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, tha se Shqipëria dhe Mali i Zi po shënojnë përparim të dukshëm me reformat dhe se vendet kanë një mundësi reale për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.
Sipas saj, nëse progresi vazhdon me ritme të qëndrueshme, negociatat me Malin e Zi mund të përmbyllen deri në fund të vitit 2026 dhe me Shqipërinë deri në fund të vitit 2027.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin. Unë vij nga kjo zonë. Dhe vetëm për t’ju dhënë një ide, nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor; Ata duhet të zbatojnë reformat. Dhe ka një element tjetër të rëndësishëm në të kaluarën. Në vitet e fundit, zgjerimi nuk ka qenë aq i rëndësishëm për Komisionin Evropian. Nuk ishte një përparësi. Tani është prioriteti. Edhe shtetet anëtare e thonë këtë.
Kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat po ecin shumë mirë me reformat e integrimit. Ata e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe zona të tjera në vend. Dhe, për shembull, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjitha negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi realiste që të dy vendet të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, tha Kos.
Pak ditë më parë Shqipëria hapi e grupkapitullit të 3 që përbëhet nga sektori i “Konkurrueshmërisë dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Ky grupkapitull përfshinë stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Comments
Post a Comment