Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi. Të dy përballen me akuza të rënda penale, në kuadër të hetimeve për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe dyshimet për pasuri të pajustifikuar.
Sipas njoftimit zyrtar, Meta dhe Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë, tre vepra penale që lidhen me aktivitetin e tyre politik dhe financiar ndër vite.
Deputetja Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e SPAK, ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat, ndërsa për të vijon masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkohë, Ilir Meta, i cili ndodhet në arrest me burg që prej 21 tetorit 2024, do të njihet me akuzat në orën 14:00 të ditës së sotme.
Në një reagim të menjëhershëm në rrjetet sociale, Meta e cilësoi procesin hetimor si një “farsë të tejzgjatur” dhe akuzoi SPAK-un se vepron nën urdhra politikë.
“Pres me padurim nisjen e gjykimit të këtij procesi publik, i cili do të faktojë botërisht se SPAK-u është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës,” shkruan Meta në Facebook. Ai shton se hetimi ndaj tij është pjesë e një “task force anti-opozitë”, që sipas tij synon të sigurojë “mandate të përjetshme për veten”
Comments
Post a Comment