Fëmija i dytë me fekondim artificial, Rama: Mbështetja e qeverisë nuk ndalet për familjet e reja

Për herë të dytë, përmes procedurës in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” ka ardhur në jetë një djalë. Kryeministri Edi Rama teksa i uroi jetë të gjatë vogëlushit, që erdhi në jetën e prindërve pas 20 vitesh pritjeje. “Jetë të gjatë bebit Bekim, që ashtu siç ka emrin, erdhi si një bekim përmes procedurës in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”, që ofrohet falas”, tha Rama.

Vogëlushi ka përfituar edhe bonusin e bebes të ofruar nga qeveria. Rama tha se “mbështetja e qeverisë nuk ndalet asnjë moment për familjet e reja që gëzohen me fëmijë: 40 000 lekë për fëmijën e parë; 80 000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120 000 lekë për fëmijën e tretë e në vijim”.

Mjeku që ka ndjekur pacienten tha se “Lumturia ka 20 vjet martuar, ka pasur dy fertilizime in vitro në shërbimet private dhe fati e deshi, siç thotë ajo, të vinte në maternitetin tonë”. Lumturia falënderoi stafin mjekësor për realizimin e ëndrrës së saj.

Për herë të parë, sistemi shëndetësor publik ofron shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”. Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).

Comments