Prenga debat me kryebashkiakun e Lezhës: Kam ende 2 shtëpi dhe kantinën e pa legalizuar, vend intrigash

Pronari i agroturizmit “Mrizi i Zanave”, Altin Prenga dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu janë përfshirë në një debat në rrjetin social Facebook.

Prenga shpërndau sot një video nga takimi i kryeministrit Edi Rama në Tiranë, ku gjatë prezantimit të projektit për përdorimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve për prodhimin e uniformave dhe mjeteve ushtarake, një qytetar u ankua për korrupsionin në institucionet shtetërore.
”Personalisht kemi 2 shtëpi dhe katinën e pa legalizuar sepse ky vend është plot intriga dhe kurrë nuk arrita të zhvilloj një praktikë normale me dokumenta pronësie apo leje ndërtimit nga peripecitë e pronës në këtë vend, ndërkohë që shoh leje dhe legalizime me toka bujqësore në det. Mendoj se kemi mes nesh shumë hiena, intrigant, të korruptuar, të kultivuar në gjakun tonë dhe kërkojnë vite për të ndryshuar”,-shkruan Prenga.

Kryebashkiaku Ndreu ka komentuar, duke thënë se pretendimet e shkruara krahas videos janë ta pabaza. ”Në fakt, ata që u shërbehet më shumë dhe me korrektësi, janë ata që ankohen më shumë! Nga një verifikim, nuk më rezulton që të jesh penguar, as që të jetë kërkuar ndonjëherë diçka në formë korrupsioni, dhe legalizimet e ndërtimeve pa leje i ke në proces. Je helmuar pak dhe po e tejkalon masën”,-është komenti i Ndreut në postimin e Prengës. Më pas Prenga i është përgjigjur duke i thënë se askush nuk i kishte kërkuar para në zyrat e shtetit, ama institucionet e trajtojnë si të paligjshëm në tokat e të parëve të tij.

Comments