Arqipeshkëvi i Shkodrës uron besimtarët mysliman për Fiter Bajramin: Myslimanët dhe të krishterët dëshmitarë të kësaj shprese, me bindjen se miqësia është e...

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE SHKODËR-PULT

Prot. Nr. 42/2025
Shkodër, 29.03.2025

Shumë i nderuar Imam Muhamed Sytari,
Myftiu i Shkodrës,

Vëllezër dhe Motra Myslimanë,

Në emrin tim personal dhe në emër të Arqidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult, ju uroj: GËZUAR festën e 'ID AL-FITR-it, Bajramin!

Festa e Bajramit vjen pas agjërimit dhe lutjes që bëni gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili është i rëndësishëm për jetën e bashkësisë myslimane. Uroj që ky muaj t’ju ketë dhënë secilit një forcë të re në jetën shpirtërore personale.

Gjithashtu, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar ju përcjell të gjithëve urimet e tij të përzemërta. Sivjet, mesazhi i tij ka si moto: "Të krishterë dhe myslimanë: ajo që shpresojmë të bëhemi së bashku."

"Në një botë të shënuar nga padrejtësia, konfliktet dhe pasiguria për të ardhmen, thirrja jonë e përbashkët mbart shumë më tepër sesa praktika të ngjashme shpirtërore. Bota jonë ka etje për vëllazëri dhe dialog të sinqertë. Së bashku, myslimanët dhe të krishterët mund të jenë dëshmitarë të kësaj shprese, me bindjen se miqësia është e mundur, pavarësisht peshës së historisë dhe ideologjive."

Prandaj, ajo që dëshirojmë të bëhemi së bashku është të jemi vëllezër dhe motra në njerëzishmëri, të cilët e çmojnë thellësisht njëri-tjetrin. Besimi ynë në Zot është një thesar që na bashkon.

Për shkak të angazhimeve jashtë vendit, nuk mund të jem pranë jush në këtë ditë feste, por ju uroj edhe një herë nga zemra:

Zoti i Mëshirshëm dhe i Gjithëpushtetshëm na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë, dhembshurisë dhe paqes në të gjithë botën!

PËR SHUMË VJET BAJRAMIN!

Me respekt,
Giovanni Peragine
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult



Comments