Vrasja e biznesmenit Rakip Roli, Apeli jep vendimin për dy autorët

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Lezhës dy shtetasit Llej Lika dhe Klauido Gjegji alias Beleshi.Ata janë shpallurt fajtor për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli, i njohur ndryshe dhe si Pilot Roli, ngjarje kjo e ndodhur më 10 Dhjetor të vitit 2021 në Sanxhak të Laçit.

Llej Lika është dënuar nga Gjykata e Lezhës me 27 vite burgim, duke u shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “mbajtja pa leje e armëve”. Ndërsa Klauido Gjegji alias Beleshi është dënuar me 20 vite burgim duke u shpallur fajtor vetëm për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Llej Lika kishte kërkuar në Apel ndryshimin e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor nga “Vrasje me paramendim” në “Vrasje me dashje”, si dhe uljen e 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar. Ndërsa Klauido Gjegji (Beleshi) kishte kërkuar shpalljen i pafajshëm për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe të dënohej për “Moskallëzim krimi”.

Gjithsesi kërkesat e tyre janë rrëzuar nga Apeli. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Valdete Hoxha dhe anëtarë Brikena Ukperaj dhe Genti Shala.

Comments