Berisha: Objektiv i padiskutueshëm i PD është rroga minimale 500 euro dhe minimumi jetik 200 euro!
Kryetari i PD, Sali Berisha, shpalosi në një bashkëbisedim online me qytetarët edhe objektivat ekonomikë të opozitës kur të vijë në pushtet
“Problem themelor sot, krahas rivendosjes së gjyqeve politike, burgosjeve politike, është problemi ekonomik.
Sot, në qoftë se marrim disa tregues, në qoftë se marrim rritjen ekonomike dhe kontot apo portofolët e qytetarëve, në një zhvillim ndër më dramatikët, por jo i vetëm se është tipik i diktaturave, konstatohet se rritja ekonomike u dyfishua, por varfëria u trefishua.
Dhe të dy llojet e varfërisë, si varfëria ekstreme apo mjerimi, i cili ishte 1.04 përqind në vitin 2013 dhe sot është 3.4 përqind, pra është mbi 3 herë më shumë, ashtu edhe varfëria relative, e cila nga 13 përqind ka arritur në 46 përqind.
Për ta bërë më të qartë për qytetarin, po marrim pensionistët. Pensionisti në vitin 2013 merrte një pension 140 mijë lekë. Sot, pa asnjë rritje por vetëm duke pretenduar për indeksim, ky pension është 180 mijë lekë. Por sot me 180 mijë lekë, ky pensionist blen 50 përqind më pak nga sa blinte me 140 mijë lekë. Sot buka është dy herë më shtrenjtë se në vitin 2013. Sot qumështi, gjalpi, djathi, domatet, zarzavatet kanë një çmim dy herë më të shtrenjtë se në vitin 2013.
Dhe, ku është dramatikja, janë nga 10 gjer në 250 përqind gjërat më bazë se shtrenjtë se në Itali, Greqi, Gjermani, në vendet që kanë një rrogë minimumi 4 deri në 8 herë më të lartë se shqiptarët.
Pensionisti shqiptar, pse po rikthehem, më i dhimbshmi, se qëndrimi ndaj tyre përbën një qëndrim thellësisht çnjerëzor.Pensionisti shqiptar sot merr 3 herë më pak se pensionisti maqedonas. Merr 3 herë më pak se pensionisti serb, malazez, boshnjak, etj. Merr 30-40 përqind më pak se pensionisti i Kosovës.
Po marr vendimin e fundit të qeverisë së Kosovës. Albin Kurti vendosi të rrisë pensionet 20 përqind. Fondi i përgjithshëm i pensioneve ishte 500 milionë euro. Ai mori 100 milionë euro nga buxheti dhe i vendosi te fondi i pensioneve.Çfarë bëri Edi Rama? Edi Rama tha do të indeksoj pensionet 4 përqind në mars. Erdhi marsi, zero indeksim. Dhe indeksoi vetëm në tetor. Mirëpo indeksimi në mars ishte ligj parlamenti. Nuk ka kryeministër që mund të lëvizë buxhetin e miratuar në parlament.
Kurse ai ua mbajti indeksimin e pensioneve nga marsi gjer në tetor dhe ua dha për tre muajt e fundit nga 400 gjer në 700 lekë shtesë. Pjesën që nuk e dha do e ofrojë për bonus në dhjetor, në një kohë kur në parlament është një buxhet 8.2 miliardë euro.
A mund të imagjinoni ju qytetarë që në 8.2 milardë euro, rreth 800 mijë pensionistëve t’u lihen vetëm 16 milionë euro. Indeksim për vitin e ardhshëm vetëm 16 milionë euro.
A mund të imagjinoni ju, 40 përqind të shqiptarëve që jetojnë në fshat, t’u lihen për mbështetje fermerëve 40 milionë, një një kohë kur ata japin 40 përqind të prodhimit të brendshëm.
Çfarë ka bërë ky me rrogat e larta? Sot janë rrogat më të larta në rajon. Rrogat e Skapistëve janë më të larta se rrogat e kardinalëve në Vatikan, se të ministrave që është një shtet i pasur. Sepse i duhen për t’i përdorur për gjah kundër opozitës.Pra, ky nuk ishte indiferent, por i përdori të gjitha këto për të ndëshkuar shumicën dhe për të shpërblyer pakicën.
Ajo që ndodh me Shqipërinë nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Praktikat e vjedhjeve në bashki të Edi Ramës janë bërë praktika shtetërore. Edi Rama kur një ndërtues aplikonte për lejen e ndërtimit të një pallati me tre shkallë, i jepte leje për shkallën e parë. Për të vazhduar punën për shkallën e dytë duhej të paguante prapë.
Çfarë bën sot Lubi Balluku? Këta tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Unaza e Tiranës, e cila ka filluar në vitin 2010, e cila është gjithsej 27 km, në një hark kohor 3-vjeçar ne kemi ndërtuar 20 km tunel, këto 27 km pa tunel në terren të butë, nga viti 2013 gjer tani, tre lotet e para u ndërtuan në vitet 2010-2013, këtë vit ka arritur të ndërtohet vetëm gjysma e unazës. Dhe del Lubia e mashtron në parlament.
Çfarë ka bërë? E ka copëtuar në 14 kontrata. Po ka hajdutë më të shpërfytyruar se këta? Dhe ajo ulet në tryeza me biftek 1 mijë euro, se nuk mund ta ketë biftekun nën 1 mijë euro.
Pa dyshim që PD ka një përgjigje të shkëlqyer, së pari ne në parlament u futëm për të mbrojtur minimumin jetik prej 200 eurosh, që do vendoset me buxhetin e parë.Sigurisht për një buxhet me 8 miliardë është e paimagjinueshme që të ketë njerëz të marrin thërrime.
Buxheti është i mirëqenies së qytetarëve, i shpërblimit të qytetarëve, i investimit te kapitali njerëzor mbi të gjitha.
Pra, këto marrin fund.
Së dyti, objektiv i padiskutueshëm është rroga minimale 500 euro. Nuk do rriten rrogat maksimale, ta dinë. Krim, rroga maksimale sot në Shqipëri janë më të larta se në Slloveni, që i ka të ardhurat për frymë 4 herë më të larta.
Rrogat sot duhet të ishin absolutisht të trefishuara me ritmet që ndoqëm ne. Kurse ky bëri një rritje vitin e kaluar, asnjë rritje nuk bëri këtë vit.
Comments
Post a Comment