“Përbuzësit e demokracisë”, Spiropali reagon pas kaosit në seancë: Karriget janë të qytetarëve, Kuvendi skenë krimi
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar pas situatës kaotike të krijuar pasditen e sotme në Kuvendin e shqiupërisë. Deputetët demokratë hodhën sende të forta në drejtim të Spiropalit dhe më pas nxorrën dhe dogjën karriget e tyre përpara Kuvendit.
Bardhi në një prononcim për gazetarët tha se “karriget e opozitës janë të qytetarëve dhe për këtë arsye i kanë dorëzuar”, duke akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se i ka vënë flakën Parlamentit. Spiropali shprehet e keqardhur për atë që ndodhi dhe thotë se djegia e karrigeve dëshmon mungesën e respektit për qytetarët dhe për ligjin. Kuvendi, tha Spiropali, ditën e sotme u kthye në një skenë krimi.
“Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.
Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese. Keqardhje e thellë!”, shkruan Spiropali.
Comments
Post a Comment