"Njeriu, i cili pas babait tim, ishte frymëzuesi dhe shembulli kryesor në ushtrimin e profesionit tim si kirurg".Bardh Spahia humb mikun e tij të shtrenjtë

Ish kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia humb mikun e tij të shtrenjtë

Lamtumirë Profesor Antonio Catona. 

Njeriu, i cili pas babait tim, ishte frymëzuesi dhe shembulli kryesor në ushtrimin e profesionit tim si kirurg. 
Një burrë me një kurajo dhe aftësi të jashtëzakonshme profesionale gjatë karrierës së tij brilante dhe gjithashtu, kurajoz e dinjitoz edhe në përballjen e gjatë me sëmundjen e tij. 

Prof. Antonio Catona ishte kirurgu i parë në botë që realizoi bendazhin gastrik me anë të laparoskopisë në vitin 1992 dhe i pari në botë që realizoi gastroplastikën vertikale në vitin 1993. Kurioziteti i jashtëzakonshëm për të renë, ndërthurur me talentin e tij të rrallë në profesionin tonë të kirurgjisë, e bënë profesorin tim një ndër emrat më të spikatur e të nderuar dhe një ndër kirurgët më inovatorë në nivel ndërkombëtar.

Njihej nga kolegët në mbarë botën si kirurgu i ndërhyrjeve të pamundura dhe, përveç aftësive profesionale, dallohej për kujdesin, ndjeshmërinë dhe vëmendjen ndaj pacientëve.
 
Do t’i jem përjetë mirënjohës profesorit, mikut tim dhe të familjes sime. Do t’i jem mirënjohës jo vetëm për gjithë këto vite që lanë gjurmë të thella në formimin tim profesional, por edhe për mikpritjen dhe përkujdesjen gati prindërore që tregoi ndaj meje që në takimin e parë, atëherë një djalë i ri i sapo dalë nga aulat e fakultetit të mjekësisë në fillim të viteve 2000, gjatë specializimit tim në ekipin e tij, ekipin tonë në Pavia. 

Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e krenarisë që shoqëronte çdo mjek e infermier, pjesë e ekipit të kirurgjisë së profesor Catonës, të vetëdijshëm që punonin me më të mirin. Ishte tmerrësisht kërkues dhe i vëmendshëm deri në detaje. I ashpër me paaftësinë dhe i pakompromis me neglizhencën. Më kujtohet kur, në kulmin e nervave në sallë, na thoshte: "Ne jemi çdo ditë në luftë këtu, ne kemi detyrimin e rezultatit, këtu nuk ka tentova por nuk ia dola, neve nuk na lejohet dështimi, sepse dështimi ynë është tragjedia e dikujt tjetër". 
Por profesor Catona, profi, siç u mësuam ta thërrasim më vonë, ishte njeri me një dhembshuri, dashuri e përkushtim të pakufi ndaj pacientëve dhe kujtdo në nevojë.
Ishte një kënaqësi të shikoje se si prezenca dhe fjala e tij gjithmonë inkurajuese sillte besim tek kolegët, siguri e qetësi shpirtërore tek pacientët.  

Ishte një maestro jo vetëm i profesionit, por edhe i jetës dhe mënyrës së të jetuarit, si ato kirurgë të rrallë pjesë e një shkolle të vjetër me të cilët kam patur fatin e madh në jetë të ndaj një pjesë të rrugëtimit të përbashkët.

Mendoj për profin e mendja vrullshëm kalon momente e episode pa fund, të gjitha të veçanta, të gjitha të denja të ruhen në kujtesën e një njeriu thellësisht mirënjohës. 
Shumica e tyre sigurisht do të mbeten në mendjen e në zemrën time, shumë të tjera do t’i kujtojmë me kolegët e tjerë të ekipit, shpesh me të qeshura që tentonin të mbysnin dhunshëm trishtimin që ndjenim të gjithë, siç ndodhi darkën e kaluar me kolegët në Pavia.

Kujtoj prezantimin e parë me atë që të gjithë e quanin profesori i madh. Unë një mjek i ri shqiptar, vetëm 24 vjeçar, me vete kisha pasionin për kirurgjinë dhe dëshirën për të mësuar. U gjenda përballë të madhit prof. Catona. E prisja ndryshe, por doli takimi më i thjeshtë e më pozitiv që mund të mendohet. Pak pyetje prej tij: nga je? a ke hyre ndonjëherë në sallë të operimit etj. dhe në fund për habinë e të gjithëve urdhri..."këtu fillohet në 7e30, nesër do të vish në operim me mua". 
Ai takim ishte fillimi i një eksperience të jashtëzakonshme profesionale, por edhe i një miqësie të mrekullueshme e të rrallë që vetëm largimi i tij nga kjo jetë do ta ndërpriste.

Kujtoj kënaqësinë e një specializanti të ri kur, në takimet e shumta me familjarët dhe miqtë e tij të shumtë, më prezantonte si kolegun e tij dhe pak më vonë si kolegun dhe mikun e tij.

Nuk e harroj kurrë sesi edhe në ato vite kur shqiptarët vuanin paragjykimin, ai gjente mënyrën dhe momentin të na dilte në mbrojtje. I tillë ishte rasti kur një mbasdite, një pacient i operuar atë mëngjes deputet i "Lega Nord", gjatë xhiros së vizitave në repart, po e falenderonte profesorin për ndërhyrjen dhe Catona menjëherë i përgjigjet: Falendero atë, (duke drejtuar gishtin nga unë), ai të ka operuar (nuk ishte e vërtetë kuptohet, unë kisha qenë ndihmës) duke vazhduar- dhe e di nga është? Nga Shqipëria. Dhe u nis e doli nga dhoma. 
Apo kur pacient ishte kuestori, të cilit i tërhiqte vëmendjen se ishte e patolerueshme që njerëzit e ndershëm e aq më tepër mjekët duhet të rrinin në radhat e pafundme për rinovimin e dokumentave.

Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tij: “Bardh, ti më kujton veten time kur, nga Calabria, kam ardhur në universitet në Pavia, ma beso kam qenë më emigrant se ti, por njeriu e ndërton vetë kudo figurën dhe personalitetin e tij.”

Nuk do mjaftonte një libër me kujtime të viteve të tëra të kaluara në atë qendër ekselence, në ekipin e mrekullueshëm të Kirurgjisë së përgjithshme dhe miniinvazive të drejtuar nga Prof. Antonio Catona, dhe më vonë pastaj në qendrat e tjera. Por edhe eksperiencën e tij në Tiranë në Spitalin Amerikan pas daljes në pension, një eksperiencë krejtësisht e re dhe entuziaste edhe për atë vetë. Ndihej mirë mes miqsh të vërtetë e kolegësh që i konsideronte profesionistë të kalibrit ndërkombëtar. Ndërhyrjet kirurgjikale, i bënte shpesh, bashkë me dr. Arben Beqirin, për raste nga më komplekset me të cilat Shqipëria të përball me shumicë. 
Dhe pastaj diskutimet profesionale, politike e sociale me në fokus zhvillimet në Shqipëri, ku bashkë me dashurinë për vendin tonë, dilte në pah edhe e gjithë aftësia e tij prej një vëzhguesi dhe analizuesi ekselent.

Largimi i profesorit dhe mikut tim më të mirë do të lerë një boshllëk të madh tek unë. Por edhe kujtimet e mrekullueshme të një njeriu tepër të veçantë që la një gjurmë të thellë në jetën time jo vetëm profesionale. Një gjeniu në mënyrën e vet dhe një kirurgu inovator.
Bisedat e gjata, me cigaren puro, miken e tij të pandashme gjithmonë në dorë, lundrimet pothuaj të përjavshme me pasionin e tij të gjithmonshëm varkën me vela, sportin e golfit, ecjet, peshkimi, gatimet dhe këshillat e mikut tim do të më mungojnë pa masë.
 
Të falemnderit për çdo gjë miku im i mirë, Profesori im Antonio Catona. Të qoftë dheu i lehtë! Buon vento in questa ultima traversata!

Comments

Popular posts from this blog

"I dogji rrobat Almës dhe fshiu të gjitha bisedat"/ Gazetarja zbulon detaje nga tragjedia në Shkodër: Erdgysi i dërgoi një mesazh kunatës...

E trishtë, ndërron jetë në aksident Ildi Pajtoni

Historia e panjohur dhe tragjike e vrasjes me tank të dy shokëve nga Shkodra në 1983