Shkodra në syrin e të huajve, vizitorët shpresojnë që të rikthehen sërish, sidomos në kalanë “Rozafa”
Kalaja e Rozafës, po mahnit gjithnjë e më shumë vizitorët dhe mbetet një nga monumentet e kulturës më të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj. Ndërkohë, nuk mungojnë as guidat turistike të shkollave të ndryshme nga i gjithë vendi.
“-Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm. Për mua është hera e parë që vij në Shkodër. Jam nga Shtutgarti i Gjermanisë.Qenka me të vërtetë një kala e veçantë, historinë e mësuam , pamja po ashtu qënka mahnitëse, shpresoj të rikthehem sërish.
-Unë vij nga Gjermania, edhe për mua është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Është shumë e bukur Shkodra, realisht tepër e veçantë. Ke shumë mundësi këtu, që nga kalaja, lumi, liqeni, deti, mali”, shprehen vizitorët.
Të dhënat më të fundit, sipas DRTK Shkodër, flasin për vazhdimin e këtij trendi në rritje.
Kombësitë që e vizitojnë kalanë “Rozafa” u përkasin shteteve të ndryshme duke nisur nga Italia e deri në Kinën e largët. Nëse trendi vijon i tillë, atëherë me shumë gjasa, ky vit do të shënojë një numër akoma më të lartë vizitorësh se viti i kaluar.
Comments
Post a Comment