Gjykata e Posaçme vendos sot për lejimin e arrestimit të Sali Berishës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet të vendosë sot për lejimin ose jo të arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. SPAK ka kërkuar për këtë të fundit ndryshimin e masës së sigurisë nga “Detyrim paraqitje” në “Arrest shtëpi” dhe mbikëqyrje me polici.
Kërkesa për ashpërsimin e vendimit erdhi pasi ish-kryeministri refuzoi disa herë që të paraqitej para togave të zeza, duke detyruar prokurorët të kërkonin ndryshimin e masës së sigurisë.
Vendimi për Sali Berishën është shtyrë për tre herë me radhë, për shkak të hapësirave ligjore që kanë shfrytëzuar dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Ata kanë kërkuar në vazhdimësi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke këmbëngulur në idenë e konfliktit të interesit.
Mirëpo, kur kërkesa e parë është rrëzuar nga gjyqtarja e posaçme Rudina Palloj, dy avokatët paralajmëruan se do të dërgonin një kërkesë të re përjashtimi në Sekretari.
Afati treditor ka përfunduar dje dhe deri në orën 16.00 në Gjykatën e Posaçme nuk u depozitua asnjë kërkesë e re për përjashtimin e Irena Gjokës nga gjyqi i Berishës. Kjo gjë e konfirmuar edhe nga zyra e shtypit të Gjykatës së Posaçme, e cila ka pranuar se nuk iu ka shkuar asnjë kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtares.
Mesditën e kësaj të shtune, datë 30 Dhetor pritet që Gjykata e Posaçme të japë vendimin final për izolimin e Sali Berishës në shtëpi. Sipas parashikimeve ligjore, atij nuk i lejohet të komunikojë me persona të tjerë që nuk janë familjarë të tij dhe që nuk jetojnë me të në shtëpi.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson procesin të orkestruar nga Edi Rama dhe regjimi i tij, siç e quan ai, por ka këmbëngulur se kjo betejë që synon ta nxjerrë nga politika aktive vetëm sa do ë bëjë më të fortë.
Comments
Post a Comment