Mjeti me targa sllovene vëzhgoi lëvizjet e Brilant Martinaj, detaje të reja: E dhëna që mund të sjellë një shteg të ri për hetuesit

Makina me targa sllovene që vëzhgoi lëvizjet e fundit të Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij të cilët u ekzekutuan tek mbikalimi i Fushë Krujës wshtw dërguar për tu çmontuar për pjesë këmbimi në një servis në Kosovë. Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar pwr BalkanWeb se kjo është përgjigja që autoritetet e drejtësisë sllovene u sollën hetuesve shqiptarë, duke i orientuar këta të fundit të kthejnë sytë nga Kosova në kërkim të gjurmëve dhe provave të atentatit mafioz.

Pas marrjes së përgjigjes së letër-porosisë së parë, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion shtesë nga Sllovenia, ndërsa përmes një letër-porosie të dytë kërkon informacion nga Kosova në lidhje me servisin e makinave ku do të bëhej çmontimi i automjetit në fjalë. Prokurorët duan të dinë se kush është personi që e mori makinën në servis dhe në cilën periudhë. Nëse kjo e dhënë sigurohet, atëherë prokurorët mund të kenë një shteg të ri për të hedhur dritë mbi krimin e rëndë.

Si ndodhi ngjarja makabre?

Mesditën e 17 korrikut të vitit 2022, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona kanë ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj. Për atentatin janë zbuluar edhe të dyshuarit e parë të ngjarjes së rëndë. Në pyetje u morën Endrit Dokle dhe Ramazan Rraja, e po ashtu edhe Gentian Reci, Fation Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi. Këta persona janë të dyshuarit kryesorë të masakrës së Fushë Krujës, një ngjarje makabre që lidhet me përplasjen e bandave në zonën e Kurbinit. Por, ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen në fjalë. Po ashtu rezulton i zhdukur edhe vetë Ervis Martinaj, pasi ka humbur kontaktet me familjarët, të cilët kanë bërë kallëzim në Polici, por ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij. 

Comments