"Çdo sfidë ka një fillim dhe një fund", Nik Gjeloshaj jep doreheqjen si kryetar i Komunes se Tuzit
Çdo sfidë ka një fillim dhe një fund, por shërbimi ndaj atyre që të votëbesojnë është një maratonë e cila vijon me më shumë përgjegjësi.
Sfida që mua mu besua nga bashkëqytetarët 55 muaj më parë për t’u shërbyer si kryetar komune, ishte një përgjegjësi e privilegj që i pranova me kënaqësi dhe punova çdo ditë me gjithë energjinë dhe vizionin tim për ta justifikuar besimin e dhënë.
Arrita të bëj aq sa munda edhe pse shumë më shumë do të doja, por mundësitë jo në çdo rast vareshin nga ne.
Jam krenar për sa shumë mundëm të bëjmë sëbashku me skuadrën e jashtëzakonshme e Komunës së Tuzit!
Jam i lumtur që qytetarët e komunës tonë sot kanë më shumë infrastrukturë, më shumë punësim, më shumë zhvillim dhe më shumë vëmendje ndaj çdo problematike që ata kanë.
Të gjithë këto punë të mira që bëmë sëbashku në 55 muaj, e kanë bërë Malësinë më dinjitoze. Dhe ju premtoj që edhe me drejtimin e ri të Komunës tonë, do vijojë e njëjta filozofi pune dhe përkushtimi!
Puna dhe fjala e mbajtur nga ne në këto 55 muaj si drejtues të Komunës së Tuzit, ishin elementë thelbësorë që mundësuan edhe rezultatin historik në zgjedhjet e Qershorit për Forumin Shqiptar, rezultat i cili na ngarkon me më shumë përgjegjësi për të bërë më shumë punë jo vetëm për Tuzin, por për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi.
Unë sigurisht që nuk jam i mjaftuar me punën e bërë në Tuz, sepse e di që ka edhe shumë punë përpara dhe pikërisht për këtë arsye, unë kam vendosur të marr përgjegjësinë që na ngarkuan qytetarët për tu bashkuar në qeveri dhe për të bërë shumë më shumë punë për Tuzin dhe për të gjitha komunat shqiptare dhe shtetin e Malit të Zi.
Ky ishte një vendim i vështirë për mua, sepse emocionalisht Tuzi dhe skuadra e komunës tonë janë shumë të shtrenjta për mua, por, ishte momenti për të parë përtej vetes dhe për të marrë përgjegjësi që tu shërbejmë të gjithë shqiptarëve!
Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, sepse siç thashë, kjo është një maratonë për të punuar dhe zhvilluar Malësinë dhe shqipëtaret!
Rrugëtimi do të jetë sfidues, por përpjekja ime do të jetë maksimale për t’i qëndruar fjalës së dhënë!
Dhe këtë do ta bëj me mish e me shpirt siç e kam bërë në Komunën e Tuzit.
Nuk mund ta mbyll këtë komunikim me ju pa shprehur disa falenderime shumë të përzemërta.
Falemindërit të gjithë qytetarëve të Tuzit për besimin dhe ndjesë për çdo punë të pakryer, por me besoni që kam bërë më të mirën që kam mundur dhe ditur!
Faleminderit super skuadrës së Komunës për punën dhe përkushtimin!
Pa ju nuk do mund tia dilja!
Faleminderit diasporës për mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Malësisë!
Jeni oksigjeni ynë!
Kjo është thjeshtë një mirupafshim dhe jo një lamtumirë, sepse, punën që kemi nisur do ta vijojmë tanimë me praninë në qeverinë e re!
Nik Gjeloshaj
Comments
Post a Comment